Lidhje

Reporterët pa Kufij akuzojnë Riadin për krime kundër njerëzimit


Organizata “Reporterët pa Kufij” njoftoi të martën se ka paraqitur një ankim penal në Gjermani kundër pesë zyrtarëve sauditë, përfshirë Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, duke i akuzuar si përgjegjës për krime kundër njerëzimit.

Grupi që mbron lirinë e shtypit tha se padia tregon "natyrën e përhapur dhe sistematike të persekutimit të gazetarëve në Arabinë Saudite", duke theksuar ndalimin e 34 gazetarëve dhe vrasjen e Jamal Khashoggit.

"35 rastet e detajuara në padi zbulojnë një sistem që kërcënon jetën dhe lirinë e çdo gazetari në Arabinë Saudite në veçanti të atyre që flasin publikisht kundër qeverisë saudite", thuhet në një deklaratë të grupit.

Padia pason publikimin javën e kaluar të një raporti të agjencive amerikane të zbulimit që vlerëson se Princi i Kurorës kishte miratuar vrasjes e gazetarit në konsullatën saudite në Turqi.

Arabia Saudite u detyrua të pranojë vrasjen duke thënë se ajo u bë gabimisht si rezultat i një operacioni të dalë jashtë kontrollit, por e ka mohuar përfshirjen e Princit të Kurorës.

Zyrtarët sauditë e hodhën poshtë raportin e zbulimit amerikan. Të hënën e fejuara e gazetarit Jamal Khashoggi, Hatice Cengiz, kërkoi që Princi i Kurorës "të ndëshkohet pa vonesë".

Në një deklaratë të postuar në Twitter, zonja Cengiz shkruante se nëse Princi i Kurorës nuk ndëshkohet "kjo do të sinjalizojë përgjithmonë se fajtori kryesor mund të shpëtojë pa u ndëshkuar, që gjë do të na rrezikonte të gjithëve e do të ishte një njollë për njerëzimin".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG