Lidhje

Senat, demokratët shtyjnë debatin, përpiqen për kompromis për paketën stimuluese


Senati amerikan shtyu hapjen e debatit për propozimin e Presidentit Biden prej 1.9 trilionë dollarësh për ndihma si rezultat i pandemisë. Pas arritjes së marrëveshjes për të eliminuar pagesën prej 1400 dollarësh për amerikanët me të ardhura më të larta, senatorët vendosën të mos votojnë të mërkurën por mund ta hapin debatin të enjten.

Senati i kontrolluar nga demokratët shpreson ta hedhë përfundimisht në votë propozimin këtë javë. Projektligji është një ndër përparësitë e Presidentit Biden. Por para se të hapin debatin, demokratët po negociojnë mënyra për të zbutur kundërshtimet e republikanëve që e quajnë të tepruar dhe plot shpenzime të panevojshme propozimin.

Senati do të mblidhet të enjten në mesditë, tha Senatori demokrat Dick Durbin, numri dy i demokratëve në këtë Dhomë.

Zyrtarët nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar nëse shqetësimet për sigurinë që kanë detyruar ligjvënësit të anulojnë sesionin e së enjtes në Dhomën e Përfaqësuesve mund të ndikojnë edhe tek axhenda e Senatit.

Demokratët në Senat thanë se propozimi për stimuj ekonomikë në përgjigje të problemeve që ka krijuar pandemia, i cili nuk do t’u ofronte pagesa prej 1400 dollarësh amerikanëve që bëjnë të paktën 80,000 dollarë në vit, apo çifteve me të paktën 160,000 dollarë të ardhura në vit, ishte zgjidhje e mirë.

Më parë, në variantin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, niveli tavan ishte 100,000 dollarë për individ dhe 200,000 dollarë për çifte.

Senatori Joe Manchin, një demokrat i qendrës, tha në komentet për gazetarët “Jam shumë i kënaqur me diskutimet dhe disa ndryshime për të cilat kemi rënë dakord”. Por ai tha se mbetet i panjohur fati i një ndryshimi që ai ka kërkuar për të rritur nga 300 në 400 dollarë në javë asistencën për papunësinë.

Senati i ndarë 50-50 do të marrë në shqyrtim ditët e ardhshmenjë mocion për një debat 20 orësh lidhur me këtë projektligj masiv. Vota mbi mocionin do të jetë sinjalizuese e rezistencës që pritet t’i bëjnë republikanët vetë projektligjit.

Paketa stimuluese përfshin fonde për të intensifikuar fushatën e vaksinimit, për të rritur asistencën e papunësisë si dhe për të ndihmuar me një pagesë familje dhe biznese si dhe struktura shtetërore e komunitare. Demokratët synojnë ta finalizojnë sa më parë ligjin në mënyrë që t’i dërgohet presidentit për firmë para datës 14 mars, kur skadojnë disa nga ndihmat.

Republikanët në drejtimin e udhëheqësit të tyre në Senat, Mitch McConnell, e kanë kritikuar projektligjin. Të mërkurën zoti McConnell e cilësoi propozimin “një katalog i madh me shpenzime për kauza liberale” dhe një piatancë partiake me “para të huazuara” e mbushur me “klauzola të absurde” që s’kanë lidhje me pandeminë e koronavirusit, e cila deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 517,000 amerikanëve dhe ka lënë miliona pa punë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG