Lidhje

Senatorët demokratë të ndarë mbi përfitimet në rast papunësie


Demokratët lanë mënjanë një betejë për rritjen e pagës minimale, por u përfshinë menjëherë të premten në një tjetër luftë të brendshme ndërsa kjo forcë politike po përpiqet të miratojë në Senat paketën e ndihmës lidhur me pandeminë, prej 1.9 trilionë dollarësh.

Disa orë pasi pohuan se do të kishin arritur një marrëveshje mes të moderuarve të partisë dhe progresistëve mbi rinovimin e përfitimeve të emergjencës lidhur me papunësinë, ligjvënësit thanë senatori demokrat Joe Manchin, tashmë preferonte një version më pak bujar lidhur me pagesat, i cili mbështetet nga republikanët.

Zoti Manchin është ndoshta demokrati më konservator i kësaj dhome të Kongresit dhe tashmë me një rol të rëndësishëm në një Senat të ndarë 50 me 50 mes demokratëve dhe republikanëve.

Ky zhvillim sjell ndërlikime të reja në përpjekjen e demokratëve për të siguruar një miratim të shpejtë të projektligjit që synon të lehtësojë barrën financiare të amerikanëve gjatë pandemisi, çka është qëllimi kryesor legjislativ i Presidentit Joe Biden. Ndërsa u duk sikur paketa kishte të ngjarë të miratohej, problemi i shfaqur nënvizon “dhimbjet e kokës” me të cilat do të përballen udhëheqësit e partive gjatë dy viteve të ardhshme në përpjekjet për të bërë përpara me axhendën në Kongres në kushtet e një diference të vogël votash.

"Unë nuk e di çfarë mendon ai", tha numri dy i demokratëve në Senat Richard Durbin, kur u pyet mbi qëndrimin e fundit të zotit Manchin mbi përfitimet e papunësisë. I pyetur nëse demokratët mund ta pranonin variantin e republikanëve zoti Durbin tha: "Ne nuk e duam. Ne duam ta përmbyllim këtë çështje".

Paketa e ndihmës lidhur me pandeminë, do të sigurojë pagesa të drejtpërdrejta në formë çeku prej 1,400 dollarë për shumicën e amerikanëve. Aty parashikohen fonde për vaksinat dhe testimet për COVID-19, ndihma për qeveritë në nivel shtetëror e lokal, ndihmë për shkollat dhe industrinë e linjave ajrore, avantazhe lidhur me taksat për ata me të ardhura të ulta dhe familjet me fëmijë dhe subvencione për sigurimin shëndetësor.

Paketa përballet me një mur të fortë kundërshtues nga ana e republikanëve.

XS
SM
MD
LG