Lidhje

Shqipëri, orët e fundit për shpalljen e kandidatëve të 25 Prillit


Në Shqipëri, sot në mesnatë skadon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike do të mbledhin në mbrëmje forumet drejtuese për të zyrtarizuar emrat me të cilët do të përballen në garën për parlamentin e ardhshëm. Në të dyja kampet pritet të ketë ndryshime të ndjeshme nga lista e 4 viteve më parë

Dy partitë më të mëdha të vendit do të vendosin për kandidatët e tyre në orët e fundit të skadimit të afatit. Socialistët kanë njoftuar mbledhjen e kryesië për në oren 19.30 ndërsa demokratët do të mbledhin forumet e tyre vetëm 30 minuta më vonë.

Në garë për një mandat të tretë, socialistët kanë paralajmëruar ndryshime të forta. Publikisht, nënkryetarja e parlamentit Vasilika Hysi, apo deputeti Besnik Bare, kanë njoftuar tërheqjen. Por duket se nuk do të jenë të vetmit. Emra të tjerë të njohur të kësaj partie pritet të mbeten jashtë gare, ose t’u ofrohen pozicione në pjesët e pasigurta të listave. Socialistët prej ditësh po flasin për prurje të reja. Javën e shkuar kryeministri ftoi dy figura publike, inxhineren Luljeta Bozdo dhe drejtuesen e spitalit Infektiv Najada Çomo. Ndërkaq drejtuesit politik të qarqeve me gjasa do të jenë në pjesën e fundit të asaj që njihet si zonë e sigurt në lista, ndonëse ndryshimet zgjedhore mundësojnë që nëse votat personale kalojnë mestaren e Partisë, atëherë një kandidat mund të rrëzojë dikë që është në pjesën e sigurt.

Demokratët futen në garë me një koalicion prej 12 partish, ku aleatëve kryesorë u është garantuar një vend në zonën e favorizuar të listave. Një situatë e tillë e ka ashpërsuar konkurrencën në radhët e kandidatëve të kësaj partie, ku pritet të shihet gjithashtu nëse do të respektohen vendimet e Komisionit të Posaçëm përzgjedhës që u ngrit verën e kaluar për të filtruar kandidatët.

Aleatja më madh i demokratëve, Lëvizja Socialiste për Integrim, do garojë më një listë të sajën, të cilën e dorëzoi që gjatë paradites. Bie në sy fakti se duke shfrytëzuar ndryshimet e reja në Kodin zgjedhor, kryetarja Monika Kryemadhi kandidon në tre qarqe.

Një ditë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, përsëriti thirrjetn e saj drejtuar udhëheqësve politik për të përzgjedhur kandidatë të pastër. “Listat e paraqitura nga partite, do të na tregojnë,nëse udhëheqësit e Shqipërisë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse janë të përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe nëse kanë vullnetin të marrin vendimet e vështira që nevojiten për një të ardhme më demokratike dhe më të begatë për Shqipërinë”, shkroi zonja Kim në Twitter. Thirrjet për kandidatë me integritet janë bërë në mënyrë të përsëritur dhe nga Brukseli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG