Lidhje

Kosovë: Parakalim për të shënuar 8 marsin


Grupe veprimtarësh parakaluan të hënën në Prishtinë, për të shënuar 8 marsin ditën ndërkombëtare të gruas, duke kërkuar drejtësi shoqërore e barazi gjinore.

Kosovë: Parakalim për të shënuar 8 marsin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Parakalimi me moton“Marshojmë s’festojmë”, tërhoqi vëmendjen për shkallën e dhunës në rritje ndaj grave në Kosovë.

“Tetë marsi këtë vit i gjen disa gra të vrara, nuk jetojnë më, disa të tjera që po vazhdojnë të jetojnë në familje të dhunshme pa mundësi për t’i ikur dhunës dhe pa mundësi për të kërkuar ndihmë, si dhe disa të tjera që po kërkojnë ndihmë dhe nuk po gjejnë e po detyrohen të kthehen prapë te ato familje të dhunshme. I gjen gratë nëpër strehimore jo të sigurta, në frikë që strehimorja mund të mbyllet për shkak të financimit jo të qëndrueshëm, i gjen gratë me shumë sfida dhe në krizë të madhe socio-ekonomike”, thotë Mirishahe Syla, një ndër organizatoret e “Marshojmë s’festojmë”.

Policia e Kosovës tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se në vitin 2020, janë regjistruar dy mijë e 69 raste të dhunës në familje, ku shumica prej tyre apo 1 mijë e 362 janë raste të dhunës ndaj gruas.

Por, zonja Syla thotë se në fakt këta numra nuk pasqyrojnë gjendjen reale.

“Prej përvojës personale me hulumtime në këtë fushë, kemi tentuar shumë gjatë që të marrim informata të sakta mbi numrin e grave që janë vrarë në Kosovë. Policia na ka dërguar dy tri informacione të ndryshme me numra të ndryshëm, njëherë na kanë thënë që janë vrarë 6 gra, mandej doli që janë vrarë 11, pastaj janë vrarë 17, nuk janë vrarë 17. Mungojnë të dhënat edhe për gratë që u takojnë minoriteteve në Kosovë, nuk kemi aspak të dhëna se sa prej tyre vriten e sa përjetojnë dhunë”, thotë ajo.

Vlora Tuzi Nushi, drejtoreshë e organizatës së Kombeve të Bashkuara UN Women në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se pandemia ka thelluar problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë.

“Ajo që ka qenë më brengosëse dhe që ne i jemi përgjigjur menjëherë në fillim të pandemisë, duke sjellë gjithashtu përvojën që ka UN Ëomen edhe në botë, ka qenë përgjigja në rritjen e rasteve të dhunës në familje. Pra, jo vetëm në Kosovë por ajo ndodhi dhe pritej të ndodhte në mbarë botën sepse izolimi, përveç që rrit stresin, kufizimin e lëvizjes, varfërinë gjithashtu, ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të dhunës. Po e quajmë pandemia në heshtje, meqë ende nuk jemi të sigurt se janë duke u lajmëruar rastet të cilat janë të mbijetuara të dhunës”, thotë zonja Tuzi Nushi.

Një raport i fundvitit të kaluar i UN Woman në nivel global, nxori në pah se pandemia e ka kthyer prapa për 20 deri 25 vjet pozitën e gruas në shoqëri, e posaçërisht në shoqëritë e pazhvilluara ose në zhvillim e sipër.

Zonja Tuzi Nushi thotë se në bazë të vlerësimeve të bëra nga ky institucion në Prishtinë, përjashtim nuk bën as Kosova.

“Është vërejtur se kanë humbur punën më shumë gratë, është rritur barra e punës së papaguar në shtëpi duke pasur parasysh se ne ende shumica e familjes jetojmë në bashkësi, me fëmijët, me prindërit e vjehrrit, dhe natyrisht është rritur kujdesi ndaj tyre në mungesë të institucioneve të kujdesit apo të mirëqenies. Në anën tjetër gjithashtu është rreziku i mbylljes së bizneseve të vogla ku gratë janë kryesisht pronare”, thotë ajo.

Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se masat e ndërmarra nga autoritetet përgjatë pandemisë, jo gjithherë kanë marrë parasysh vështirësitë e grave.

“Definitivisht pandemia ka ndikuar shumë, shumë gra të cilat e kanë mbajtur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë e kanë pasur plus barrën e kujdesit ndaj punëve të shtëpisë, kujdesit ndaj anëtarëve të familjes dhe kjo e ka vështirësuar shumë herë edhe performancën e tyre duke punuar prej shtëpisë gjatë kohës së karantinës, e që për shumë biznese vazhdon edhe sot. Si rrjet i grave gjatë tërë kohës kemi monitoruar masat që qeveria i ka ndërmarrë për t’u përballur me pandeminë, dhe kemi parë se sa janë përfshirë interesat ose problemet edhe sfidat ekonomike të grave në këto masa, jo gjithmonë ka pasur një fokus për shkak se masat janë zhvillu tepër shpejtë”, thotë ajo.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi tërheqin vërejtjen te sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë, si dhuna në familje, mungesa e punësimit, ngacmimet seksuale dhe mungesa e arsimimit. Aktualisht vetëm rreth 14 për qind e grave në moshë pune janë të përfshira në tregun e punës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG