Lidhje

Zgjedhje në dy shtete kyçe në Gjermani


Dy shtete në Gjermani po votojnë të dielën për legjislaturat e tyre të reja rajonale, gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme kombëtare, të cilat do të përcaktojnë se kush do të pasojë Kancelaren Angela Merkel.

Votat në shtetin jugperëndimor Baden-Wuerttemberg, një rajon i fuqishëm ekonomikisht dhe në shtetin fqinjë Rheinland-Pfalz shihen si të rëndësishme për të kuptuar prirjen në shkallë kombëtare përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 26 shtatorit, në të cilat zonja Merkel nuk kandidon për herë të parë që prej më shumë se 15 vjetësh.

Sondazhet e opinionit publik të kohëve të fundit kanë treguar se mbështetja për Bashkimin Kristian-Demokrat të qendrës së djathtë dhe aleatin e saj konservator bavarez Bashkimi Kristiano-Social ka rënë në rreth 30% sepse gjermanët kanë qenë të pakënaqur me menaxhimin e krizës së koronavirusit, dhe me ngadalësinë dhe burokracinë në fushatën e vaksinimit.

Reputacioni i CDU / CSU-së është dëmtuar gjithashtu nga pretendimet se anëtarët e parlamentit nga koalicioni qeverisës kishin përfituar nga marrëveshjet për prodhimin e maskave, duke detyruar tre ligjvënës të japin dorëheqjen ditët e fundit.

Sondazhet tregojnë se në Baden-Wuerttemberg, i vetmi shtet gjerman me një kryeministër nga partia e Gjelbër me prirje të majtë, CDU është pas kësaj partie.

Në Rheinland-Pfalz, Social-Demokratët e qendrës së majtë janë përpara CDU-së, një tregues se kryeministri popullor i shtetit, Malu Dreyer, do të drejtojë një qeveri tjetër të koalicionit me të Gjelbrit dhe Partinë e Lirë Demokratike pro-biznesit.

Rezultatet priten të dielën në mbrëmje ose të hënën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG