Në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, vendosi që të thërrasë më 22 mars mbledhjen e parë të parlamentit të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Vendimi u mor në një periudhë kur lëvizja Vetëvendosje hapi një seri diskutimesh me partitë politike për formimin e institucioneve të reja.
Parlamenti i ri i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, do të mblidhet të hënën me 22 mars. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli vendimin për mbajtjen e seancës së parë, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Publikimi i këtij vendimi u bë në ditën kur zonja Osmani dhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, hapën një seri diskutimesh me partitë politike për formimin e institucioneve të reja.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë të hënën se i takon lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit që të sigurojnë rrugët e formimit të institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, një proces sfidues për shkak të numrit të nevojshëm të votave për zgjedhjen e tij.
Lëvizja Vetëvendosje e cila arriti një fitore të thellë në zgjedhje me 58 vende në parlamentin 120 vendesh, nuk pret të përballet me vështirësi për formimin e qeverisë, për miratimin e së cilës duhen të paktën 61 vota. Por, zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave, përkatësisht 80 vota të deputetëve, që të paktën duhet të jenë të pranishëm në sallën e parlamentit gjatë votimit. Kjo lëvizje e ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për këtë post.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se para se të flitet për personin, duhet të flitet për parimet, që duhet të përcaktojnë se kush mund të jetë president i ardhshëm i Republikës. Ai tha se kërkoi nga zoti Kurti dhe zonja Osmani sqarime për shumë çështje përfshirë edhe për qasjen e tyre ndaj politikës së jashtme të Kosovës.
“Natyrisht se është kërkuar prania jonë dhe pjesëmarrja jonë në seancë edhe kur zgjidhet kryetari i Kuvendit edhe kur zgjidhet qeveria edhe kur zgjidhet presidenti. Ne nuk jemi parti politike që pjesëmarrjen e ka profesion, ne jemi opozitë dhe ne vetëm kur shohim qartësim të plotë në raport me këto tema në organet e Partisë Demokratike të Kosovës pastaj do të marrim qëndrim se çka mendojmë konkretisht për të gjitha seancat e radhës”, tha ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte kandiduar nga partia e tij për postin e presidentit, tha se subjekti i tij do të qëndrojë në opozitë duke pasur parasysh se po synohet një përqendrim i pushteteve në një parti.
“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për të formuar qeverinë, shumicën për qeverinë, dy të tretat për presidentin, është në përgjegjësinë e tyre. Në këtë rast si Aleancë, nuk e kemi këtë mundësi për të krijuar dy të tretat në parlament edhe ajo që na mbetët është një rol opozitar funksional në këtë rast në shërbim të vendit”, tha zoti Haradinaj.
Gjatë javës pritet që lëvizja Vetëvendosje të vazhdojë diskutimet me partitë tjera politike përfshirë edhe Lidhjen Demokratike, e cila një ditë më parë zgjodhi Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit të saj.
Zoti Abdixhiku nuk është përgjigjur në ftesën për sot të lëvizjes Vetëvendosje, por hodhi propozimin që takimi të mbahet të premten.
Mbledhja e parlamentit, duhet të pasohet me ngritjen e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit. Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund të çojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin një mundësi të tillë, meqë Kosova ka nevojë për institucione të reja në një periudhë sfidash shëndetësore, ekonomike e politike.
Facebook Forum