Lidhje

E ardhmja e opozitës ruse pa udhëheqësin Alexey Navalny


Kanë kaluar dy muaj që nga dita kur udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny u kthye në shtëpi pas një trajtimi të gjatë mjekësor në Gjermani nga helmimi, një sulm që rezultoi pothuajse vdekjeprurës.

E ardhmja e opozitës ruse pa udhëheqësin Alexey Navalny
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Zoti Navalny dhe qeveritë perëndimore fajësojnë autoritetet ruse për tentativë vrasjeje, akuza që janë mohuar nga Kremlini. Megjithatë, një gjykatë ruse e dënoi kritikun Navalny me më shumë se dy vite e gjysmë burg, nën pretendimet se shkeli një dënim me kusht. Kjo ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e opozitës ruse, nëse ajo do të arrijë të mbijetojë pa udhëheqësin e saj.

Qarku Vladimir ndodhet më pak se 100 kilometra larg Moskës. Burgu ku Alexey Navalny pritet të qëndrojë për të paktën dy vite e gjysmë, thuhet se është më i ashpri në Rusi. Kjo është vetëm një nga mënyrat që qeveria shfyrtëzon për të ushtruar presion mbi figurën e opozitës dhe të tjerë që kërkojnë ndryshime politike.

Kandidatët e opozitës dhe deputetët komunalë u mblodhën së fundmi në Moskë për të diskutuar strategjitë për të garuar në zgjedhjet e vjeshtës.

Pyetja kryesore është si të arrihet fitorja në garat lokale kundër një makinerie politike të mbështetur nga Kremlini, përgjigjen e së cilës nuk arritën ta merrnin.

Policia ndërpreu aktivitetin e tyre nën arsyetimin se ngjarja kishte lidhje me një OJQ të huaj që shteti e kishte shpallur të padëshirueshme më 2017.

Pjesëmarrësit që u arrestuan e përshkruan situatën si të pakuptimtë dhe të vështirë për ta besuar.

“Zhvillimet në vendin tonë janë të tilla që edhe Franz Kafka mund t’i kishte zili. Atij nuk do t’i mjaftonte imagjinata për të krijuar këtë situatë”, tha Vladimir Kara-Murza, politikan opozitar.

Frikësimi i kundërshtarëve është taktika kryesore e Kremlinit, duke u munduar t’i mbajë ata larg përfshirjes në zgjedhje dhe larg rrugëve.

Mijëra persona u arrestuan gjatë protestave kundër dënimit të kritikut Navalny, shumica prej të cilëve u mbajtën në kushte mizore, ndërsa anëtarët e familjes u lanë në terr informativ.

“Nuk arrija të merrja asnjë informacion…ti thërret por nuk të thonë asgjë. Dikur në mesnatë kuptova se bashkëshorti është në një burg këtu”, thotë Anastasia, bashkëshorte e një protestuesi të burgosur.

Të tjerë u përballën me një reagim të stilit sovjetik…

“Po prisnim që të zhvillohej seanca për ne, ishim brenda furgonit afër gjykatës kur u njoftova se isha pushuar nga institucioni ku punoja”, thotë Artem Nazarov, ish instruktor teatri.

Ndërsa shtypja qeveritare vazhdon, aleatët e zotit Navalny bëjnë thirrje për moratorium të protestave në rrugë deri në pranverë.

“Nëse vazhdojmë të dalim në rrugë çdo javë, mijëra të tjerë do të arrestohen dhe qindra do të rrihen”, tha Leonid Volkov, aleat i opozitarit Alexey Navalny.

Opozita kërkon që të ushtrohet presion përmes protestave simbolike dhe thirrjeve për presion ndërkombëtar. Aleatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar lirimin e zotit Navalny.

Ata janë bashkuar në vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqësve të lartë rusë. Megjithatë njohësit e situatës thonë se këto masa nuk pritet të sjellin ndryshime.

“Nuk janë të efektshme dhe nuk jam i sigurt nëse ka sanksione që do të ndikonin zhvillimet brenda vendit. Këto masa shërbejnë që të sinjalizohet Kremlini se ajo që ndodhi nuk kaloi pa u vërejtur”, thotë Konstantin Sonin, economist në Universitetin e Çikagos.

Megjithatë, profili në rritje i zotit Navalny brenda dhe jashtë vendit pas akuzave të tij për korrupsion në qeveri, duket qartë se ka marrë vëmendjen e Kremlinit. Njeriun që për vite ishte trajtuar si i parëndësishëm në politikë, Kremlini e dëshiron jashtë skenës politike me çdo çmim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG