Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin që legalizon ëndërrimtarët dhe punonjësit e fermave


Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan të enjten dy elemente kryesore të programit ambicioz për emigracionin të Presidentit Joe Biden.

Por çështja që ka shkaktuar debate më të mëdha në lidhje me emigracionin në vend mbetet e pazgjidhur. Një numër në rritje i azilkërkuesve dhe i të miturve të pashoqëruar po arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë, duke bërë që administrata e Presidentit Biden të ofrojë siguri se sistemi i imigracionit shpesh jofunksional i vendit është nën kontroll.

“Shumica dërrmuese e njerëzve, shumica që vijnë në kufi janë kthyer. Kufiri nuk është i hapur”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Republikanët e Kongresit thonë se premtimi i fushatës së zotit Biden për të legalizuar 11 milionë emigrantë pa dokumente tashmë në vend, po inkurajon ardhjen e më shumë njerëzve.

"Njerëzit ndërmarrin këtë udhëtim me familjet e tyre sepse ata thjesht kanë dëgjuar atë që tha Presidenti Biden", tha udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, numri i emigrantëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara po rritet. Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat e quajti këtë rritje një krizë.

"Është një krizë sigurie. Raportimet e reja sugjerojnë se një numër i madh personash të arrestuar në kufi në muajt e fundit figurojnë në listën e atyre që monitorohen nga FBI-ja për terrorizëm", tha senatori McConnell.

Emigrantët që kalojnë kufirin nuk do të përfshihen në projektligjin e tanishëm nëse ai miratohet nga Kongresi, por iniciativa mund të ndryshojë politikën e imigracionit në Uashington.

Kjo u jep atyre që janë kundër ndryshimit të politikave të imigracionit, arsye për të kritikuar administratën. Pra, kjo e ngushton ose e ndërlikon hapësirën politike të administratës Biden për të ecur përpara me këto propozime legjislative", tha Doris Meissner nga Qendra e Politave të Migracionit.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan dy projektligje më të specifikuara të enjten për legalizimin e një pjese të punonjësve të huaj të fermave dhe për të ashtuquajturit ëndërrimtarë, emigrantë pa dokumente të sjellë në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë.

Nëse ua mbyllim derën amerikanëve të rinj, udhëheqja jonë në botë do të dëmtohej. Gjithmonë ka qenë një kënaqësi për mua të mbështes ëndërrimtarët. Ata na bëjnë krenarë", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Një strategji që ka për qëllim të fitojë votat e republikanëve në Senatin e kontrolluar me epërsi të ngushtë nga demokratët.

Ka patur mbështetje për këtë grup emigrantësh nga të dyja palët. Ekziston një mbështetje shumë e fortë publike, veçanërisht për ata që janë pjesë e programit DACA, që janë të përfshirë në Aktin e Premtimit për Ëndërrimtarët. Por ky është një grup i kufizuar emigrantësh”, thotë Doris Meissner.

Nëse këto propozime shndërrohen në ligj, deri në 2 milionë ëndërrimtarë do të vihen në rrugën drejt marrjes së shtetësisë amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG