Lidhje

Shqipëri, presidenti Meta emëron 4 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë


Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta njoftoi sot se kishte pranuar 4 kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) i paraqiti atij pak ditë më parë, Magjistratët Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi, morën kështu prej kreut të Shtetit emërimin. Me këtë akt, Gjykata e Lartë bëhet me 7 nga 19 anëtarë të parashikuar në përbërjen e saj.

Në njoftimin e tij, Presidenti Meta, shprehet kritik ndaj veprimtarësisë së KLGJ në procesin e vlerësimit të kandidaturave. “Ka kaluar plot një vit nga momenti i propozimit nga KLGJ, të emërimit të 3 anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Nëse KLGJ do të ndjekë këtë ritëm, atëherë Gjykata e Lartë, do të plotësohet me të gjithë trupën gjyqësore, në mars të vitit 2024”, thekson ai duke shtuar se “kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë”.

Presidenti, nënvizon më tej se “KLGJ duhet të angazhohet me seriozitet, për të vijuar me ritme më të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate të gjithë mbështetjen e nevojshme”.

Pak ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetarja e KLGJ-së Naureda LLagami, shpjegoi se vonesat kishin ardhur si pasojë e një serie rrethanash, që nga nevoja për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm nënligjor, deri të procedurat strikte të vlerësimit të kandidatëve, apo dhe numrit të vogël të aplikimeve, për shkak edhe të procesit të Vettingut.

Sipas zonjës LLagami, me 7 anëtarë, Gjykata e Lartë mund të kryejë plotësisht funksionet e saj, ndërsa bëri të ditur se brenda pak muajve, priten emërimet e tjera që do të bënin të mundur arritjen e kuorumit prej 15 anëtarësh, që nevojitet që ky institucion të nisë procedurat për plotësimin edhe të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG