Lidhje

Dhjetë vjet nga fillimi i luftës në Siri


U mbushën dhjetë vjet që kur filloi lufta civile në Siri dhe në shumë pjesë të vendit qeveria e Presidentit Bashar al-Assad duket të jetë fituese. Por në Idlib, bastioni i fundit i opozitës, katër milionë njerëz janë bllokuar në një luftë për të cilën disa analistë thonë se është larg përfundimit. Heather Murdock dhe Shadi Turk njoftojnë për Zërin e Amerikës nga Idlibi i Sirisë.

Konflikti prej një dekade ka lënë qindra mijëra të vrarë në Siri, ka zhvendosur miliona dhe ka shkatërruar jetë të panumërta.

Presidenti Bashar al-Assad ka shpallur fitoren në një luftë që duket se po mbaron.

Por të tjerë thonë se lufta ka "ngrirë" ndërsa forcat qeveritare luftojnë në mënyrë sporadike me grupe të opozitës që ende kontrollojnë Idlibin dhe zonat përreth në Sirinë veriperëndimore. Në këtë rajon jetojnë rreth katër milionë nga të 17.5 milionë banorët e Sirisë.

Brenda Idlibit, protestat kundër qeverisë së Asadit janë të përjavshme. Protestuesit thonë se revolucioni i tyre vazhdon.

"Ne ende kemi të njëjtat kërkesa që kishim në vitin 2011. Nuk do të pushojmë pa ikur kreu i regjimit dhe forcat e sigurisë. Edhe sikur të na largojnë me forcë nga shtëpitë,” thotë protestuesi Anwar Alyousef.

Shumë njerëz në rajonin e Idlibit thonë se ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të jetojnë të Sagert nën qeverinë e Asadit.

Pjesa më e madhe e zonës kontrollohet nga Hay’at Tahrir al-Sham, ose HTS, një grup që thotë se është një bashkim i forcave nacionaliste siriane të opozitës.

Por HTS është shpallur gjithashtu organizatë terroriste nga SHBA dhe vendet e tjera për shkak të lidhjeve të mëparshme me al-Kaidën.

Qëllimi i deklaruar i grupit është të dëbojë Asadin dhe aleatët e tij ndërkombëtarë nga Siria.

“Ne jemi në një revolucion dhe duam të dëbojmë bandat kriminale. Ne duam që ushtria e Asadit, milicitë e Iranit dhe pushtuesit rusë të largohen nga Siria," thotë Abu Khaled Alshami, zëdhënësi i HTS.

Turqia gjithashtu po luan rol në Siri, duke mbështetur hapur grupet e tjera rebele në rajon. Çdo rezultat i ardhshëm politik ose ushtarak, thonë analistët, ka të ngjarë të varet nga veprimet e Turqisë në emër të opozitës dhe Rusisë e Iranit në mbështetje të Asadit.

Aktualisht, një luftë e përgjithshme duket e pamundur, sepse do të bënte që miliona njerëz të largoheshin në kufirin turk. Turqia tashmë strehon 3.5 milionë refugjatë sirianë dhe, sipas analistëve, do të preferonte të luftonte Asadin dhe aleatët e tij se sa të rihapte kufijtë.

Por banorët e Idlibit thonë se edhe gjendja e tanishme, me miliona të uritur dhe të pastrehë, nuk mund të vazhdojë më.

“Ne kemi humbur gjithçka. Gjithçka. Ekonomia, arsimi dhe sistemi ynë i drejtësisë janë shkatërruar,” thotë Shadi Shoayb, banor i Idlibit.

Dhjetë vjet më parë, thotë Shoayb, kryengritja ishte për ëndrrën e lirisë dhe të drejtësisë.

Por sot, thotë ai, "nëse shihni përreth, njerëzit po vuajnë aq shumë sa duket se kanë humbur shpirtin."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG