Lidhje

Freedom House: Demokracia amerikane në krizë akute 


Shtetet e Bashkuara përballen me një krizë akute të demokracisë. Në këtë përfundim arrin organizata Freedom House, e cila ndjek mbarëvajtjen e demokracisë në botë. Në një raport të posaçëm të sapo-bërë publik, me titull “Nga Kriza në Reformë: Thirrje për të Forcuar Demokracinë e Goditur të Amerikës”, organizata nënvizon se Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar një rënie graduale të të drejtave politike dhe lirive civile gjatë dekadës së fundit. Në indeksin e përvitshëm që përgatit kjo organizatë me titull “Liria në Botë”, Shtetet e Bashkuara renditen tani 11 pikë më poshtë se sa 10 vjet më parë dhe janë shumë më pranë mesit të indeksit që rendit vendet në bazë të lirive që gëzojnë shoqëritë e tyre.

Freedom House vëren një dobësim të të drejtave demokratike si në krahasim me gjendjen në vend gjatë viteve, edhe në krahasim me vende të tjera, duke arritur në përfundimin se situata kërkon vëmendje të menjëhershme.

Organizata veçon një numër aspektesh të lirive politike e civile ku shfaqen probleme të mprehta. Ja disa prej tyre:

Trajtim i pabarabartë

Megjithëse SHBA kanë luftuar në emër të parimit se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe në trajtimin nga autoritetet dhe megjithë përparimet që ka bërë vendi gjatë dekadave, janë vërejtur episode të kthimit pas si dhe momente të përballjes me trajtimin e pabarabartë dhe përmasat e tij. Raporti përmend rastin e vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestimit nga një polic i bardhë si shembull i këtij problemi ndaj personave me ngjyrë, veçanërisht afrikano-amerikanëve, duke e cilësuar atë si një nga dobësitë e vazhdueshme në analizën e lirisë në SHBA.

Raporti veçon “diskriminimin në sistemin e drejtësisë penale” që e konsideron si me “pasoja veçanërisht të dëmshme në Shtetet e Bashkuara, duke ekspozuar miliona njerëz ndaj keqtrajtimit nga policia dhe burgosjes së gjatë pa rrugë efektive për të kapërcyer këtë situatë. Vazhdimi i vrasjes së civilëve afrikano-amerikanë nga policë dhe shpesh mosndëshkimi dhe mbrojtja e autorëve të aktit, janë një kujtesë e vazhdueshme për shumë amerikanë se garancitë kushtetuese të procesit të rregullt ligjor mbeten të paarritshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Kodet penale të vjetëruara prej dekadash dhe politikat e tjera, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me substancat e ndaluara, janë strukturuar dhe zbatohen në një mënyrë që bën si rezultat që shumica e atyre që ndëshkohen për këto akte janë nga popullata me ngjyrë, të cilët përbëjnë shumicën e të burgosurve të dënuar pavarësisht se përfaqësojnë rreth një të tretën e popullatës së përgjithshme amerikane”.

Ndikim i Padrejtë Politik

Raporti vëren një perceptim të përhapur mes amerikanëve se demokracia në vend nuk po arrin të adresojë problemet më të ngutshme të shoqërisë dhe se ata si zgjedhës nuk kanë qasje tek përfaqësuesit e tyre zgjedhur nëse nuk janë nga shtresa e pasur apo me influencë politike.

Sipas Freedom House, kjo mungese besimi e publikut tek qeveria ushqehet në masë të madhe nga ndikimi i parasë tek politika, që kur një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2010 hoqi kufizimet mbi shumat që mund të shpenzojnë individë apo organizata për të mbështetur një kandidat të caktuar. Ky problem, thekson raporti special, prek të dyja forcat kryesore politike. Këto dhurime e përqëndrojnë vëmendjen e kandidatit tek donatorët dhe krijojnë ndikim të grupeve të fuqishme tek politikbërja.

“Pabarazia ekonomike është thelluar pa ndërprerje që nga viti 1980; sipas një statistike, në 2019 10% përqindëshi më i pasur i amerikanëve kontrollonte afërsisht 84% të zotërimeve aksionare në bursën amerikane. Në dallim prej tyre, zotërimet mesatare të familjeve afrikano-amerikane janë sa 15% e zotërimeve të familjeve të bardha”. Kjo situatë e lë një pjesë të popullsisë jashtë ndikimit politik, arrin në përfundim raporti.

Polarizim Partiak

Freedom House vëren një hendek në rritje midis amerikanëve që identifikohen si liberalë dhe atyre konservatorë, ose si mbështetës të Partisë Demokrate apo Republikane. “Këta amerikanë po organizohen në grupime më homogjene me prirje të ngjashme politike dhe mundësi të kufizuara për ndërveprim me ata në anën tjetër, gjë që mund t'i shkëpusë ata nga shumë pikëpamje me të cilat pajtohet shumica e vendit”. Raporti vëren se identiteti politik është bërë aq i mprehtë dhe specifik sa që shoqërohet me një preferencë të caktuar për dyqanet ku blejnë konsumatorët ushqimet apo emisionet televizive që ndjekin.

Raporti pohon se polarizimi politik ekziston dhe po thellohet edhe në vende të tjera, por në Shtetet e Bashkuara ky polarizim përkon “me identitetin racor, etnik dhe fetar. Kjo e bën shumë më të vështirë për partitë që të fitojnë mbështetës përmes politikave tërheqëse dhe shumë më të lehtë për politikanë të paskrupullt të sulmojnë kundërshtarët e tyre si kërcënim ndaj këtyre identiteve të ngurta”.

Përfundime dhe Rekomandime

Raporti i Freedom House ofron një numër rekomandimesh në përgjigje të problemit. Sipas organizatës, nëse nuk veprohet pa vonesë dhe me përpjekje të fokusuara dhe të qëndrueshme, kjo brejtje e demokracisë amerikane jo vetëm që do të vazhdojë por do të përshpejtohet. Organizata rekomandon një numër hapash që do të forconin demokracinë dhe do të zgjeronin pjesëmarrjen e amerikanëve në institucionet demokratike të vendit:

Ulja dhe eliminimi i pengesave ndaj votës

Freedom House i konsideron pengesat ndaj votës si një ndër dëshmitë më të qarta të diskriminimit të popullatës me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara. Këto probleme shfaqen përmes “pengesave në regjistrimin e votuesve, apo rregullave që diktojnë të drejtat e votimit për personat që janë dënuar në të kaluarën për akte kriminale”. Raporti i cilëson masa të tilla si akte që “minojnë demokracinë, dhe politikëbërësit duhet të ndërmarrin hapa për të zgjeruar të drejtën e votës dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen elektorale”.

Kufizimi i ndikimit të parave në politikë përmes forcimit të ligjit mbi donacionet

Ndikimi i madh i parave në politikë, thotë Freedom House, është intensifikuar që nga vendimi i Gjykatës së Lartë në 2010 për të lejuar shpenzime të pakufizuara për reklama politike nga korporatat e pavarura. Për të adresuar këtë problem, organizata rekomandon që “ligjvënësit federalë dhe shtetërorë të përqendrohen në reformimin e financimit të fushatave që përfshijnë rritjen e transparencës për reklamat politike, forcimin e rregulloreve që të parandalohet bashërendimi i veprimeve mes një kandidati dhe një grupi të pavarur që mbështet zgjedhjen e tij”.

Pengesa ndaj Polarizimit dhe Ekstremizmit me Ngritjen e Komisioneve të Pavarura për Përcaktimin e Zonave Zgjedhore

Freedom House rekomandon që për të mbrojtur parimin e përfaqësimit të barabartë, shtetet, të cilat në bazë të ligjit çdo 10 vjet rishikojnë dhe ndryshojnë kufijtë e zonave zgjedhore, duhet ta mbrojnë këtë proces nga interesat partiake që përpiqen të manipulojnë kufijtë në interes të tyre. “Në shumicën e shteteve, kufijtë vendosen nga legjislaturat e shtetit, duke e lënë procesin të hapur ndaj manipulimit nga partia që mban një shumicë legjislative…. Krijimi artificial i zonave "të sigurta" ku një parti e ka të garantuar fitoren,” është një faktor kryesor i polarizimit dhe mosfunksionimit në politikën amerikane,” thotë raporti. Organizata sugjeron ngritjen e komisioneve të pavarura që do ta bëjnë ndarjen e zonave zgjedhore jashtë presioneve politike.

Shtetet e Bashkuara mbeten një vend i lirë dhe amerikanët gëzojnë një sistem demokratik më të fuqishëm sesa shumica dërrmuese e popullatës së globit, thekson në raport Freedom House. Megjithatë, organizata e sheh situatën aktuale në SHBA si pasqyrim i një gërryerjeje të jashtëzakonshme të demokracisë, sidomos duke marrë parasysh aspiratat e Amerikës si model i demokracisë në botë. “Një dekadë më parë, Shtetet e Bashkuara kishin 94 pikë nga 100 pikët e mundshme në raportin Liria në Botë, përkrah demokracish si Franca dhe Gjermania. Sot, këto vende mbeten në 10 vendet e para me numrin më të lartë të pikëve, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rënë duke grumbulluar 83 pikë, në një grup me demokracitë më të reja si Rumania, Kroacia dhe Panamaja. Freedom House vëren se kjo rënie është shqetësuese për amerikanët, por edhe për mbarë botën. “Pozicioni i spikatur dhe ndikimi global i Shteteve të Bashkuara bëjnë që problemet e kësaj demokracie të kenë pasoja unike negative mbi demokracinë në pjesën tjetër të botës”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG