Në Shqipëri, ndonëse situata e Koronavirusit ka njohur përmirësim në dy javët e fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve, bëri të ditur të mërkurën se masat kufizuese nuk do të ndryshojnë. “Pavarësisht uljes së indikatorëve, ato përsëri mbeten në nivelin që të sugjerojnë që situata vazhdon të jetë delikate dhe jo një situatë me të cilën duhet të jemi të kënaqur. Prandaj për këtë arsye, Komiteti ka vendosur që masat që kanë qenë deri tani, kanë qenë të efektshme dhe ato të mbeten në të njëjtin nivel edhe për dy javë të tjera”, tha drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli.
Për pasojë, do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Baret dhe restorantet do të vazhdojnë të punojnë deri në orën 20:00 (përveç shërbimit delivery). Shkollat do të vazhdojnë të mbeten online. Dhe fluturimet me Britaninë e Madhe edhe për këtë periudhë dyjavore do të mbeten të pezulluara. Po ashtu do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe për dy javë, ndalimi i grumbullimeve me më shumë sesa 10 vetë.
Të dhënat e paraqitura nga drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se për periudhën 10-23 mars, incidence dy javore, ka një zbritje nga 418 në 268 për 100 mijë banorë. Pozitiviteti i mostrës ka rënë, mesatarja ditore e rasteve pozitive është ulur nga 654 në 532, edhe numri total i rasteve aktive ka pësuar ulje, nga 33.553 në 33.194. Bashkitë e prekura deri në datën 22 mars, duke krahasuar me periudhën pararendëse kanë rënë nga 37 në 34, raporti meshkuj-femra mbetet 52 me 48%. Ndërsa numri mesatar i të shtruarve në spital ka rënë 394 nga 466”, tha zonja Fico.
Në 24 orët e fundit, numri i rasteve të reja shënoi një rritje të ndjeshme krahasuar me dy ditët e fundit . Nga kryerja e 2475 testimeve, kanë rezultuar pozitivë 448 persona. Ndërkohë që mbetet i lartë numri i viktimave. Janë 15 persona që kanë humbur jetën: 3 qytetarë nga Fier, 3 qytetarë nga Durrësi, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Rrogozhina, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Pogradeci, dhe 1 qytetar nga Librazhdi, moshave 59-87 vjeç.
Nga ana tjetër, të dhënat nga spitalet tregojnë një rënie të shtrimeve dhe atyre që janë në terapi intensive. “Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 357 pacientë, 19 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Afrimi i zgjedhjeve, me fushatën zgjedhore e cila nesër hapet zyrtarisht, shton frikën për një përhapje më të gjerë të Koronavirusit. “Eksperienca e vendeve të cilat kanë kryer proces zgjedhor në pandemi ka treguar se në zbatim të respektimit të masave të marra, nuk ka pasur shtim të numrit të infeksioneve. Prandaj i ftojmë qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet, siç është vendosja e maskave në ambientet ku ato janë të rekomanduara, respektimi i distancimit fizik, ndalimi i grumbullimeve për çfarëdo lloj arsye, në mënyrë që së bashku me intensifikimin në vijimësi të vaksinimit, të vazhdojmë të kemi një ulje numrash dhe indikatorësh që të na sugjerojnë edhe një lirim të masave”, thekosi zonja Rakacolli.
Facebook Forum