Lidhje

Gjykatësi i mohon lirimin në pritje të gjykimit të pandehurit në Kolorado 


Një gjykatës në shtetin e Kolorados dha urdhër që i dyshuari për vrasjen e 10 vetëve në një supermarket të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht në pritje të gjykimit.

Autoritetet kanë ngritur ndaj 21-vjeçarit Ahmad Al Aliwi Alissa dhjetë akuza për vrasje të qëllimtë lidhur me masakrën në një dyqan ushqimesh të hënën në Boulder të Kolorados.

Ahmad Al Aliwi Alissa
Ahmad Al Aliwi Alissa

Gjykatësi Thomas Mulvahill u miratoi kërkesën avokatëve të të pandehurit për të shtyrë tre muaj një seancë paraprake të paraqitjes në gjykatë në mënyrë që 21-vjeçari t’i nënshtrohej një analize për shëndetin mendor.

Avokatët e tij nuk kanë dhënë hollësi mbi gjendjen e klientit të tyre, por një zyrtar i rendit i informuar mbi incidentin e së hënës tha se të afërm të të pandehurit u kishin thënë hetuesve se besojnë që ai vuan nga probleme mendore.

21-vjeçari Alissa hoqi dorë nga e drejta për një seancë paraprake dëgjimore brenda 35 ditësh, në mënyrë që të krijohej mundësia për kontrollin mendor.

Të enjten ai u shfaq për herë të parë në publik që nga arrestimi të hënën brenda supermarketit ku ndodhën vrasjet.

I pandehuri Alissa pohoi se i kupton të drejtat e tij ligjore, përfshirë edhe faktin se po mbahej në paraburgim pa të drejtën e lirimit në pritje të gjykimit.

Incidenti i përgjakshëm në Kolorado u pasua nga thirrjet e Presidentit Biden të martën për një ndalim mbarë-kombëtar të armëve gjysmë automatike.

Presidenti Joe Biden
Presidenti Joe Biden


Në komentet në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha “Nuk kam nevojë të pres as një minutë e aq më pak të pres një orë, për të ndërmarrë hapa të arsyeshëm për të shpëtuar jetë”.

Ai i bëri thirrje Kongresit të veprojë.

“Mund të ndalojmë armët e sulmit dhe karikatorët me kapacitet të lartë”, tha zoti Biden, duke shtuar se kishte punuar për një akt të ngjashëm legjislativ kur ishte senator dhe kryesonte Komisionin e Senatit për Gjyqësorin. Ligji u miratua në 1994, por u lejua të skadojë në 2004.

Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Senatit të miratojë masat e aprovuara tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve për të plotësuar boshllëqet në ligjet për kontrollin e historikut të blerësve të armëve.

Të martën, Komisioni i Senatit për Gjyqësorin zhvilloi një seancë dëgjimore, e para në një seri seancash për të diskutuar mënyrat për të ulur dhunën me armë.

Presidenti Biden tha se me zemër është pranë familjeve të viktimave dhe atyre që përjetuan nga afër incidentin në Boulder.

Hetuesit nuk kanë dhënë hollësi për motivet e aktit. Autoritetet thanë të martën se i pandehuri kishte blerë një armë gjysmë automatike gjashtë ditë para sulmit.

Ndër viktimat, të cilat variojnë në moshë nga 20 deri në 65 vjeç, ishte edhe një polic i forcave të rendit të qytetit Boulder. Polici Eric Talley ishte i pari që mbërriti në skenë dhe qëlloi në drejtim të të dyshuarit, i cili, siç njoftohet, kishte një armë luftarake.

Presidenti Biden vuri në dukje se sulmi i së hënës pason vrasjen e tetë vetave në një sallon masazhesh në Atlanta të Xhorxhias më 16 mars.

Flamujt në kryeqytetin e vendit, Uashington, janë ulur në gjysmë shtizë në nderim të viktimave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG