Lidhje

Xhorxhia, miratohet mes kundërshtish ligji që kufizon qasjen në votim


Guvernatori republikan i shtetit të Xhorxhias Brian Kemp nënshkroi të enjten në mbrëmje një ligj të debatueshëm që parashkon një rregullim gjithëpërfshirës të ligjit të këtij shteti mbi zgjedhjet. Ligjvënësit e këtij shteti miratuan ligjin e mbështetur nga republikanët më herët gjatë ditës së sotme. Në të përfshihen dispozita që shtojnë kufizime të reja ndaj votimit me postë dhe që i japin organit legjislativ kontroll më të madh mbi mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet.

Demokratët dhe grupet që mbrojnë të drejtën e votës thanë se ligji u hiq të drejtën për të votuar një numri më të madh zgjedhësish me ngjyrë. Ligji është pjesë e një vale masash ligjore të lidhura me zgjedhjet e të mbështetura nga republikanët, të paraqitura në shtete të ndryshme të vendit pasi ish-Presidenti Donald Trump ushqeu pretendime të rreme duke thënë se manipulimet çuan në humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Përpjekjet e republikanëve për të ndryshuar ligjet mbi votimin në shtetin e Xhorxhias pasojnë pjesëmarrjen rekord që çoi në fitoret e demokratëve në garën presidenciale dhe dy balotazheve për një vend në Senat, në një shtet që dikur njihej si besnik i republikanëve.

Ligji u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve të këtij shteti me 100 vota pro dhe 75 kundër. Më pas ai u miratua edhe në Senat, me mbështjen e republikanëve në një votim që rezultoi në 34 vota pro me 20 kundër.

Drejtuesja e pakicës në Senat demokratja Gloria Butler tha se ligji ishte i mbushur me "taktika të shtypjes së votuesve".

"Ne jemi dëshmitarë të një sulmi masiv dhe të pandërprerë ndaj të drejtës së votës ndryshe nga çdo gjë që kemi parë që nga epoka e ligjeve që legalizuan veçimin racor", tha zonja Butler.

Ligjvënësja demokrate Rhonda Burnough tha se ligji bazohej në gënjeshtra të hedhura nga republikanët pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

"Banorët e Xhorxhias dolën në shifra rekord për të votuar sepse kishin qasje tek votimi", tha zonja Burnough. "Si përgjigje ndaj kësaj u thanë gënjeshtra pas gënjeshtrash lidhur me zgjedhjet dhe tani ky projektligj që mbështet në të njëjtat gënjeshtra".

Ndër të tjera ligji parashikon detyrimin për paraqitjen e një dokumenti indentifikimi me fotografi në mënyrë që të votohet me postë, kjo pasi më shumë se 1.3 milionë votues të Xhorxhias e përdorën këtë mundësi gjatë pandemisë së COVID-19. Gjithashtu parashikohet një shkurtim i periudhës kohore që kanë njerëzit në dispozicion për të kërkuar një fletëvotimi për ta hedhur me postë. Ligji kufizon vendet se ku mund të vendosen kutitë ku hidhen votat dhe kohën se kur zgjedhësit mund të kenë qasje tek ato.

Ligjvënësja republikane Jan Jones tha se dispozitat që shkurtojnë kohën që njerëzit kanë në dispozicion për të kërkuar një fletëvotimi me postë kanë për qëllim "të rrisin gjasat që votat të hidhet me sukses", pas shqetësimeve të ngritura në vitin 2020, në lidhje me votat me postë që nuk po merreshin në kohë nga qarqet për t'u numëruar.

Një nga ndryshimet kryesore që parashikon ligji është ai që i jep organit legjislativ të kontrolluar nga republikanët më shumë kontroll mbi administrimin e zgjedhjeve, një ndryshim që ka ngritur shqetësime mes grupeve që mbrojnë të drejtën e votës. Sipas tyre kjo mund të çojë tek një ndikim më të madh partiak në proces.

Ligji parashikon zëvendësimin e sekretarit të shtetit në cilësinë e kryetarit të bordit shtetëror të zgjedhjeve, me një të emëruar të ri nga organi legjislativ. Ky hap pason kundërshtimin që sekretari republikan i këtij shteti Brad Raffensperger i bëri përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve në Xhorxhia. Ligji do të mundësojë gjithashtu që bordi të heqë e të zëvendësojë ata zyrtarë të zgjedhjeve në qarqe të cilët vlerësohet se nuk kanë punuar siç duhet.

Kjo dispozitë shihet gjerësisht si diçka që mund të përdoret kundër qarkut Fulton të këtij shteti, një bastion i demokratëve, i cili mbulon pjesën më të madhe të Atlantës, e që u vu në qendër të sulmeve gjatë zgjedhjeve të hershme në verën e 2020.

Ligji nuk përmban disa nga propozimet më të diskutueshme të paraqitura nga republikanët, sikurse ai që përfshinte vendosjen e kufijtë për votimin e hershëm të dielave.

Por megjithatë ndryshime të tilla nuk e kanë zbutur kundërshtimin ndaj ligjit nga ana e demokratëve apo grupeve të drejtave të votimit. Më herët gjatë ditës së sotme rreth 50 protestues, përfshirë përfaqësues nga Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë u mblodhën të enjten përballë ndërtesës së Kapitolit në këtë shtet, në kundërshtim të këtij ligji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG