Lidhje

Studimi: Institucionet e reja të drejtësisë shqiptare, pak rezultate në vitin e parë të punës


Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi këtë fundjavë studimin e parë mbi institucionet e reja të drejtësisë në vitin e parë të punës së tyre.

Studimi: Institucionet e reja të drejtësisë shqiptare, pak rezultate në vitin e parë të punës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Autorët pohuan se reforma në sistemin e drejtësisë ka hyrë në vitin e 5 të zbatimit, por ende nuk ka përfunduar plotësimi i Gjykatave Speciale me gjykatës dhe as ngritja e SPAK - Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Studimi vëren se besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë mbetet ende në nivele të ulëta, sepse numri i dënimeve për korrupsion dhe krim të organizuar është i papërfillshëm.

Në vitin e parë të punës së tyre, deri në dhjetorin e kaluar, Prokuroria dhe Gjykatat e Posaçme regjistruan 40 çështje penale për korrupsion dhe 50 çështje penale për krimin e organizuar.

Por studimi zbuloi se megjithë numrin e lartë të denoncimeve për korrupsion të shënuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimet penale të dërguara për gjykim janë në një përqindje të vogël.

“Këto struktura u krijuan të hetojnë dhe gjykojnë funksionarë dhe ish-funksionarë të lartë shtetërorë, por është shumë i ulët numri i çështjeve për korrupsion në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë” - thotë bashkautorja e studimit, Mirsada Hallunaj.

Studimi vëren se shumica e çështjeve për korrupsion janë akuza ndaj punonjësve publikë.

Po ashtu, pjesa më e madhe e dënimeve për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë janë me masën shërbim prove në publik dhe jo me burgim. 5 dënimet me burg për korrupsion janë maksimumi 3 vjet dhe minimalja 6 muaj burgim.

Gjykata regjistroi 25 çështje penale për korrupsion aktiv dhe 6 për korrupsion pasiv ndaj punonjësve publikë.

Por ndaj gjyqtarëve e prokurorëve ka vetëm 3 çështje për korrupsion, ndërsa nuk ka asnjë çështje penale korrupsioni ndaj funksionarëve të lartë shtetërore apo të zgjedhurve vendorë.

Ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar trashëgoi fillimisht 225 denoncime për 271 persona, gjysma e tyre për krim të organizuar dhe pjesa tjetër për korrupsion.

Ndërsa në vitin e kaluar, nga 343 procedime penale gjysmat i përkasin korrupsionit dhe vetëm 42 lidhen me krimin e organizuar.

Nga 162 dosje për krim të organizuar vetëm 16 prej tyre janë dërguar për gjykim.

Sipas studimit, nga 240 dosje për korrupsion vetëm 39 u dërguan për gjykim. Gjithsej vetëm 10 për qind e çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme u dërguan për gjykim në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Rreth 30 për qind e të pandehurve u dërguan për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Ndërsa nga 310 hetime pasurore, vetëm 11 kërkesa për sekuestro u dërguan në gjykatë, dhe vetëm për 4 raste në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskim të pasurisë së sekuestruar.

Studiuesit theksojnë se pritshmëria e opinionit qytetar vazhdon të jetë shumë e lartë për institucionet e reja të drejtësisë, sepse po aq i lartë është edhe perceptimi për korrupsion të shtrirë masivisht në gjithë nivelet e administratës shtetërore.

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi disa ditë më parë edhe Barometrin e Sigurisë, ku vërehet një rënie të konsiderueshme të besimit të qytetarëve ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK.

Sipas Barometrit gjithnjë e më pak qytetarë besojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të forcohet me krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe se efektiviteti i gjykatave do të rritet pas reformës në drejtësi.

Perceptimi i gjerë i të anketuarve është se institucionet e drejtësisë (Prokuroria dhe Gjykatat) janë të korruptuara dhe të varura nga politika.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG