Lidhje

Shkup: Arrijnë 24 mijë vaksina Astra Zeneca nga programi COVAX


Sot në aeroportin e Shkupit mbërriten 24 mijë vaksina të prodhuesit Astra Zeneca, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vaksinat e prodhuara në Kore, arritën me një aeroplan komercial nga Stambolli. Autoritetet maqedonase i prisnin vaksinat që prej para një muaji.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se vaksinimi do të fillojë të mërkuren pasi të kryhen procedurat administrative në Agjencinë e Barnave dhe të parët që do të marrin dozat do të jenë 70 mijë persona të moshës mbi 75 vjeç me sëmundje kronike, të cilët tanimë kanë aplikuar për t’u vaksinuar. Ministri tha se shpërndarja e vaksinave do të bëhet sipas vendbanimit të grupeve që do të vaksinohen. Për banorët e Shkupit, ndërkohë, autoritetet për përgatisin një palestër të madhe sportive si qendër të vaksinimit.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Mary Byrnes tha se përhapja e shpejtë e COVID-19 ka treguar se asnjë shtet nuk mund të veprojë i vetëm kur është fjala për sfidat globale. “Do të përballemi dhe do ta kalojmë këtë sfidë nëse qëndrojmë bashkë dhe punojmë së bashku si partnerë, siç jemi këtu sot”, u shpreh ambasadorja.

Dërgesa e radhës e vaksinave Astra Zeneca pritet të mbërrijë deri në fund të muajit të ardhshëm, ndërkohë që ministri Filipçe bëri të ditur se gjatë prillit pritet të arrijnë edhe 100 mijë vaksinat kineze.

Deri më tani janë vaksinuar 7 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, këto ditë qindra shtetas të këtij vendi kanë udhëtuar në Serbinë fqinje, për të marrë vaksina. Marrëveshja është bërë përmes Odave Ekonomike të dy vendeve, ndërsa pak ditë më parë rreth 100 gazetarë maqedonas po ashtu shkuan për t’u imunizuar në Serbi, kryesisht në qytetet e Nishit dhe të Vranjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG