Lidhje

Opozita shqiptare kundërshton shtyrjen e censusit për Maqedoninë e Veriut


Zijadin Sela

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka kundërshtuar shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për në vjeshtë, në bazë të marrëveshjes së arritur të hënën midis Kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesit opozitar maqedonas Hristijan Mickovski, të VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë procedurën e pritshme parlamentare rreth ligjit të ri për shtyrjen e censusit.

Projekt-propozimi pritet të futet në procedurën e parlamentit të mërkuren dhe sipas rregullave kërkohen debate deri në tre ditë në komisionet e parlamentit. Aleanca dhe Alternativa, që nuk dëshirojnë të shtyhet procesi i regjistrimit të pupullsisë, do ta shfrytëzojë mundësinë e kundërshtimit përmes votimit të dyfishtë, apo votimit me “Badenter”, siç njihet në opinionin publik të Maqedonisë së Veriut.

Dy partitë shqiptare vlerësojnë se marrëveshja midis partive maqedonase për shtyrjen e censusit mund të jetë fillimi i ndërprerjes së plotë të procesit, siç ndodhi në vitin 2011.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim e mbështet shtyrjen e cenusit për në vjeshtë, teksa çështja ka shkaktuar përplasje midis saj dhe opozitës shqiptare.

BDI thotë se vazhdimi i regjistrimit online të diasporës nga 1 marsi deri në 30 shtator ndihmon procesin e regjistrimit dhe jep mundësi shtesë për t’u regjistruar të gjithë mërgimtarët.

“Duke pasur parasysh bojkotin e opozitës, kontestimin e procesit nga ana e saj, bllokadën në parlament, nisjen e vaksinimit dhe imunizimit, shtyrja e regjistrimit të banorëve rezidentë nga muaji prill në muajin shtator të këtij viti paraqet vendim të duhur dhe të drejtë” thuhet në një komunikatë të BDI-së, e cila e akuzon opozitën shqiptare “për mungesën e konsistencës dhe sinqeritetit ndaj qytetarëve”.

Mbështetje marrëveshjes Zaev-Mickovski i dha edhe Presidenti Stevo Pendarovski, i cili mblodhi Këshillin kombëtar të Sigurisë për të diskutuar mbi gjendjen e vështirësuar me koronavirusin.

“Shtyrja e censusit nuk do të ketë pasoja për askënd dhe përkundrazi, me vaksinimin do të krijohen kushte për zbatimin e suksesshëm pa pasur asnjë bazë për dyshim ndaj legjitimitetit të tij (censusit)”, u shpreh presidenti maqedonas.

Censusi brenda vendit duhej filluar më 1 prill dhe të zgjaste deri më 21 prill. Maqedonia e Veriut censusin e fundit e ka bërë në vitin 2002, kur numri i përgjithshëm rezultoi në pak mbi dy milon banorë, prej të cilëve 25 përqind shqiptarë. Vonesa e gjatë e këtij operacioni statistikor ka bërë që një pjesë e investitorëve të huaj ta anashkalojnë vendin e vogël ballkanik për shkak të mungesës së të dhënave të nevojshme për zhvillimin e biznesit të tyre.

Kritikët thonë se censusi nuk do të rrezikonte përhapjen e koronavirusit, ndërsa zgjedhjet parlamentare u mbajtën vitin e kaluar në mes të pandemisë.

Sidoqoftë, shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja po vjen duke u rritur në disa javët e fundit. Të marten u regjistruan 33 vdekje, ndërsa një ditë më parë, 41. Deri më tani janë 3749 viktima. Janë diagnostikuar gjithsej 128511 raste, prej tyre 18370 janë aktive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG