Lidhje

Nju Jork, arrestohet i dyshuari për sulmin ndaj aziatiko-amerikanes


Asian American Woman Assaulted
Asian American Woman Assaulted

Një person i liruar me kusht, pasi vuante dënimin për vrasjen e nënës së tij gati dy dekada më parë, u arrestua në qytetin e Nju Jorkut. Ai akuzohet se është përfshirë në një krim urrejtje duke sulmuar një aziatiko-amerikane në sheshin Times Square, tha policia të mërkurën.

Policia tha se Brandon Elliot, 38 vjeç, është personi që shihet në videot e regjistruara nga kamerat e sigurisë duke shkelmuar dhe shtypur gruan aziatiko-amerikane të hënën. Zyrtarët e policisë thanë se Brandon Elliot jetonte në një hotel për të pastrehët në një lagje afër vendit ku ndodhi sulmi.

Afrikano-amerikani Brandon Elliot u dënua për vrasjen me thikë të nënës së tij në Bronks në vitin 2002, kur ishte 19 vjeç. Ai u lirua me kusht nga burgu në vitin 2019. Lirimi me kusht ishte i vlefshëm për gjithë jetën.

I dyshuari përballet me akuzat e sulmit si një krim urrejtjeje dhe sulmit fizik ndaj një individi për rolin e tij në incidentin e së hënës, tha policia. Nuk dihej menjëherë nëse ai kishte një avokat mbrojtës që mund të fliste në emër të tij.

Viktima u identifikua si Vilma Kari, një 65-vjeçare që emigroi nga Filipinet, tha vajza e saj për gazetën New York Times, e cila nuk e bëri publik emrin vajzës së gruas së sulmuar.

Ambasadori i Filipineve në Shtetet e Bashkuara, Jose Manuel Romualdez tha se viktima është një grua filipino-amerikane.

Ministri i Jashtëm i Filipineve, Teodoro Locsin Jr, dënoi sulmin në një postim në Twitter, duke thënë se "Kjo u përjetua rëndë dhe do të ndikojë në politikën e jashtme të Filipineve".

Teodoro Locsin Jr.
Teodoro Locsin Jr.

Ministri Locsin nuk shtjelloi se si sulmi do të mund të ndikonte në politikën e Filipineve ndaj Shteteve të Bashkuara. Dy vendet kanë qenë aleate për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë të jenë të tilla. Por, Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, është një kritik i zëshëm i politikave amerikane të sigurisë dhe ka shfuqizuar një marrëveshje të rëndësishme për stërvitjet e përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë me forcat amerikane në vend.

Aziatiko-amerikania Vilma Kari po shkonte në kishë kur u sulmua në Manhatan nga një burrë që e goditi atë në stomak, e rrëzoi përtokë, e shkeli në fytyrë, ndërsa e ofendonte me sharje anti-aziatike duke i thënë asaj, "ti s’ke vend këtu.

Ajo doli nga spitali të martën pasi u mjekua për lëndime serioze, tha një zëdhënës i spitalit.

Sulmi i së hënës ishte ndër më të fundit në një valë krimesh në rritje të urrejtjes kundër aziatikëve në shkallë vendi dhe ndodhi vetëm disa javë pas një sulmi me armë në Atlanta, ku u vranë tetë persona, gjashtë prej tyre gra me origjinë aziatike. Rritja e dhunës është lidhur pjesërisht me fajësimin e pamerituar që u është vënë aziatikëve për pandeminë e koronavirusit dhe përdorimin e termave racore nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili e ka quajtur Covid-19 "virusi kinez".

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio e quajti sulmin e së hënës "absolutisht të neveritshëm dhe mizor". Ai tha se ishte "absolutisht e papranueshme" që dëshmitarët nuk ndërhynë për të ndihmuar viktimën.

Mayor Bill de Blasio
Mayor Bill de Blasio

"Nuk më intereson se kush jeni, nuk më intereson se çfarë bëni, ju duhet të ndihmoni bashkëqytetarin tuaj njujorkez", tha de Blasio të martën.

Sulmi ndodhi të hënën në mëngjes para një ndërtese me apartamente luksoze afër sheshit Times Square.

Dy punëtorë brenda ndërtesës, të cilët duket se ishin roje shihen në videon e regjistruar nga kamerat e sigurisë duke vëzhguar incidentin, por nuk e ndihmuan viktimën. Njëri prej tyre u pa duke mbyllur derën e ndërtesës ndërsa gruaja ishte e shtrirë në tokë.

Kompania që menaxhon ndërtesën tha se ata u pezulluan në pritje të një hetimi. Sindikata e punëtorëve tha se ata menjëherë kërkuan ndihmë.

Andrew Yang
Andrew Yang

Kandidati për kryetar bashkie Andrew Yang, djalë emigrantësh tajvanezë, tha se viktima e këtij sulmi "mund të kishte qenë nëna ime". Ai gjithashtu kritikoi kalimtarët, duke thënë se mosveprimi i tyre është "e kundërta e asaj që na duhet këtu në qytetin e Nju Jorkut".

Këtë vit në qytetin e Nju Jorkut ka patur 33 krime të urrejtjes ndaj aziatikëve deri të dielën, tha policia. Në të njejtën periudhë të vitit të kaluar pati vetëm 11 sulme të tilla.

Komisioneri i Policisë, Dermot Shea njoftoi javën e kaluar se do të shtohen patrullimet në komunitetet kryesisht aziatike, duke përfshirë ato të oficerëve të fshehtë për të parandaluar sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Lagja ku ndodhi sulmi i së hënës, Hell's Kitchen, është kryesisht e bardhë, me më pak se 20 për qind popullsi aziatike, sipas të dhënave demografike të qytetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG