Lidhje

Në Tokën e Shenjtë përgatiten aktivitete të reja për Pashkët


Izraeli po i mban në fuqi kufizimet për udhëtimin ajror për shkak të pandemisë. Kjo do të thotë se pelegrinët e krishterë nga mbarë bota, sërish nuk do të jenë në gjendje të vizitojnë objektet tradicionale në Tokën e Shenjtë edhe për këtë vit. Por, zyrtarët izraelitë të turizmit kanë punuar për të krijuar aktivitete të reja për besimtarët, të cilët do të kenë shumë gjëra për të parë kur të rikthehen.

Në Tokën e Shenjtë përgatiten aktivitete të reja për Pashkët
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Sipas traditës së krishterë, Jezusi dhe dishepujt e tij ecnin shumë. Një shteg që ai mund të ketë përshkuar pas kryqëzimit dhe ringjalljes është vija Emmaus. Me gjatësi 18 kilometra, ajo lidh qytetin arab të Izraelit, Abu Ghosh, me qytetin Emmaus.

“Shtegu Emmaus është shteg pelegrinësh. Nuk ka shumë të tilla në Izrael. Ekziston shtegu i Jezusit në Galilee që është i ngjashëm, por shtegun Emmaus mund ta bësh në gjysëm dite. Është rrugës për në aeroport. Është një mënyrë e këndshme për ta mbyllur pelegrinazhin duke përmbledhur gjithë ç’ke parë dhe të meditosh për këtë ndërsa kthehesh për në vendin tënd”, thotë Henri Gourinard, autori i guidës për shtegun Emmaus.

Sipas ungjillit të Lukës, dy pelegrinë hasën në këtë shteg një burrë që në vazhdim e njohën se ishte Jezusi i ringjallur. Përgjatë shtegut gjendet edhe një rrugë romake dhe varre të lashta.

Ecja në këtë shteg është ndërtuar që të jetë e sigurtë nga COVID-i.

“Është shumë e përshtatshme për epokën e koronavirusit, pasi zhvillohet në qiell të hapur. Unë mund të flas pa maskë dhe ndoshta ky lloj pelegrinazhi në ajër të pastër do të zhvillohet më tej”, thotë zoti Gourinard.

Kur pelegrinët përfundojnë ecjen, ata mund të vizitojnë Muzeun Terra Sancta në Jeruzalemin e Vjetër, të menaxhuar nga murgjit françeskanë të Kishës Katolike. Shumë nga artifaktet nuk janë ekspozuar më parë.

“Këto të dyja vijnë nga Franca. U krijuan për Mbretin e Francës, Luigjin XIV. Kjo tjetra vjen nga Napoli, që ishte pjesë e Mbretërisë së Spanjës. Është dhuratë nga Karli III. Dhe këtu kemi dhurata nga Austria në shekullin e 18-të”, thotë At Stephane Milovitch.

Muzeumi po ndërtohet nën Kishën Françeskane të Shpëtimtarit të Shenjtë, në Jeruzalemin e Vjetër. At Stephane thotë se Pashka ofron mundësinë për t’u rilidhur me besimin.

“Pra, të gjithë e shohin Jezu Krishtin me sytë e tyre, nëpërmjet kulturës së tyre, por besimi mbetet i njëjti. Është e rëndësishme që të shohim nëpërmjet syve të njerëzve të ndryshëm të njëjtin objekt, të njëjtin besim. Mendoj se kultura mund të çelë sytë e njerëzve nëpërmjet bukurisë dhe perceptimit të besimit nga këndvështrimi i të tjerëve”, thotë At Stephane.

Ai shpreson që deri në Pashkët e ardhshme, rrugët e Jeruzalemit do të mbushen sërish me pelegrinë, siç kanë qenë prej shekujsh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG