Lidhje

Shqipëri, financimi i partive politike në fushatën zgjedhore në qendër të një studimi mbi Kodin e ri Zgjedhor


Në Tiranë, Instituti për Studime Publike dhe Ligjore ka përgatitur, me mbështetjen financiare të Ambasadës së SH.B.A.-ve në Tiranë, një studim mbi financimin e partive politike dhe transparencën financiare në fushatë zgjedhore.

Ekspertët e tij besojnë se Kodi i ri Zgjedhor shënon përmirësime të dukshme pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, por tani është koha për t’u vërtetuar zbatimi konkret i tyre.

Shqipëri, fushata dhe financimi i partive politike; studim ligjor e praktik
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00


Instituti për Studime Publike & Ligjore në Tiranë vlerëson se zbatimi i duhur i Kodit të ri Zgjedhor mbi financimin e partive politike mund ta rrisë transparencën mbi të ardhurat e tyre në fushata dhe mund të shmangë përfshirjen e parave të pista.

Pas një studimi të detajuar mbi përmirësimet që iu bënë Kodit Zgjedhor pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, Instituti theksoi se Kushtetuta dhe Kodi zgjedhor e kërkojnë transparencën.

Transparenca e financimeve është futur deri në nivelet e Kushtetutës së Republikës, e cila kërkon që burimet financiare të partive politike, si dhe shpenzimet e tyre duhet të bëhen kurdoherë publike, thekson studimi.

Ekspertja e Institutit për Studime Publike e Ligjore, Borana Mustafaraj, thotë se ligji e ka bërë të detyrueshëm regjistrimin dhe publikimin e gjithë veprimtarisë financiare, deri tek identiteti i donatorëve, madje edhe ruajtjen e të dhënave deri në 7 vjet.

“Nga ana tjetër kontrollet faktike për shpërdorimin e burimeve shtetërore bëhen nga komisioneri i Shërbimit Civil në bazë të inspektimeve në isntitucione. Kjo është një periudhë me ngarkesë jashtëzakonisht të madhe. Komisionerët janë të ndarë nëpër institucione të rëndësishme dhe ata monitorojnë gjendjen faktike, si dhe në bazë të ankesave apo të sinjalizimeve, nëse vërtet ka patur shkelje apo jo” - tha zonja Mustafaraj.

Kodi Zgjedhor parashikon detyrimin për transparencë brenda vet partive politike, në mënyrë që asnjë dhurues, huadhënës apo kredidhënës të mos kalojë kufirin mbi 1 mijë dollarë.

Ligji kërkon që transparenca të bëhet para zgjedhjeve, theksoi studimi, në mënyrë që qytetarët të informohen për financat partiake përpara se të shkojnë në votime.

Sipas ekspertëve, një pjesë ku nevojiten përmirësime në ligj janë auditimet e vet KQZ-së.

Ekspertët e Institutit mendojnë se veprimtaria financiare duhet të kontrollohet dhe publikohet përgjatë vitit zgjedhor dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Në të kundërt, publiku dhe partitë opozitare nuk mund ta njohin mënyrën sesi po zhvillohet fushata zgjedhore dhe të krijojnë një opinion përpara se të shkojnë në votime.

Dënimet janë ashpërsuar, ndërsa shqetësimet më të mëdha mbeten donacionet private, ku parashkohen kufizime sasiore dhe cilësore, si dhe ndalimi i donatorëve para zgjedhjeve dhe 3 vjet pas zgjedhjeve që të mos përfitojnë kontrata publike.

“Nëse një person juridik ose fizik bën një donacion për një parti dhe ajo fiton zgjedhjet, ai nuk ka të drejtë të marrë pjesë në asnjë procedurë tenderimi apo prokurimi PPP, apo kontratë koncensionari apo asnjë lloj kontrate publike për një periudhë 3 vjet nga data e rezultateve të zgjedhjeve” - tha zonja Mustafaraj.

Ekspertët besojnë se Kodi Zgjedhor solli përmirësime të ndjeshme për të shmangur përdorimin e administratës në zgjedhje.

Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si rritja e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, e të tjera.

KQZ, KLSH dhe Komisioneri për Shërbimin Civil janë 3 institucionet që kontrollojnë financimin e partive politike.

Por KQZ ka marrë një rol të rëndësishëm me kodin e ri zgjedhor në vëzhgimin dhe ndëshkimin e gjithë shkeljeve që vihen re gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, që edhe pse online dhe nën kufizimet e pandemisë, përsëri është e tensionuar.

Studiuesit besojnë se Kodi Zgjedhor ka sjellë përmirësime cilësore, por përsëri është vullneti i institucioneve dhe drejtuesve të tyre, që e kanë vetë në dorë, nëse e zbatojnë si duhet atë, apo do ta mbajnë ashtu të mirë vetëm në letër, si edhe shumë ligje të tjera në Shqipëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG