Lidhje

Pheniani tërhiqet nga Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të pandemisë


Koreja e Veriut njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të shqetësimeve lidhur me pandeminë e koronavirusit.

Në një deklaratë të hënën të Ministrisë së Sporteve të këtij vendi thuhej se vendimi u mor "për të mbrojtur lojtarët nga kriza botërore e shëndetit publik shkaktuar nga COVID-19".

Nëse Koreja e Veriut i qëndron vendimit të saj, kjo do të shënonte herën e parë të mospjesëmarrjes së këtij vendi që nga lojrat olimpike të vitit 1988, kur aktiviteti zhvillohej në Seul. Po kështu Pheniani do të ishte vendi i parë që tërhiqej nga Lojërat Olimpike të këtij viti që mbahen në Tokio.

Lojërat në Tokio u shtynë me një vit për shkak të koronavirusit, por ato pritet të fillojnë më 23 korrik nën masa të rrepta për parandalimin e virusit.

Koreja e Veriut, e cila është veçanërisht e prekshme nga shpërthimet e sëmundjeve, ka vendosur ndoshta masat më të rrepta në botë për parandalimin e koronavirusit.

Prej më shumë se një viti, vendi është përpjekur të mbyllë pothuajse plotësisht kufijtë e tij dhe ka zbatuar masa edhe më të rrepta se zakonisht në udhëtimet e brendshme.

Pheniani këmbëngul se masat kufizuese në kufi kanë arritur ta mbajnë virusin jashtë vendit, një pretendim që është hedhur poshtë, kryesisht nga ekspertët.

Disa vëzhgues të Koresë së Veriut kanë shprehur shqetësimin se Pheniani po përdor pandeminë për të zgjatur kufizimet e saj të ashpra për një kohë të pacaktuar për të vendosur një kontroll më të madh mbi popullsinë.

Vëzhguesit thonë se Koreja e Veriut është një nga vendet më të varfra të botës dhe nuk ka infrastrukturë të përshtatshme shëndetësore. Bllokimet si pasojë e koronavirusit e kanë përkeqësuar situatën në këtë vend dhe ka patur njoftime për mungesë ushqimesh dhe ilaçesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG