Lidhje

Itali, “qyteti që po vdes” kërkon mbrojtje nga UNESCO


Itali, “qyteti që po vdes” kërkon mbrojtje nga UNESCO
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:33 0:00

Në majë të një shkëmbi në mes të një lugine rreth 100 kilometra në veri të Romës, ndodhet qyteti mahnitës i Civita di Bagnoregios. Qyteti ka mbijetuar për rreth 3,000 vjet, por tani ai po lufton me kërcënimin nga rrëshqitjet e dheut që mund të jenë shkatërruese për të. Italia tani ka bërë një propozim që qyteti të merret nën mbrojtje nga UNESCO.

Qyteti Civita di Bagnoregio ka qenë nën kërcënim nga rrëshqitjet e dheut dhe erozioni që kur u themelua nga etruskët për arsye ushtarake mies viteve 600 dhe 280 para Krishtit.

Problem kryesor për këtë qytet janë themelet e tij të përbëra nga një përzierje mjaft e paqëndrueshme e argjilës dhe shkëmbinjve vullkanikë. Për këtë arsye qyteti mesjetar ka marrë titullin mjaft shqetësues: "qyteti që po vdes". Banorët thonë se mbijetesa e tyre deri më tani është varur nga vendosmëria e banorëve të tij.

"Motoja jonë është 'qëndrueshmëria' sepse Civita u themelua nga Etruskët, kaloi epokën romake dhe gjithë periudhën mesjetare për të arritur deri në ditët e sotme", tha kryebashkiaku 32-vjeçar i Bagnoregio (Banjorexhos), Luca Profili, në sheshin e vetëm të qytetit, i cili tani është pothuajse bosh, pa turistë për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit.

Që nga epoka etruske qyteti gradualisht është zvogëluar në rreth një të tretën e madhësisë së tij fillestare për shkak të erozionit, tërmeteve dhe rrëshqitjeve të dheut. Tani ai është vetëm 152 metra i gjatë dhe 91 metra i gjerë. Një urë 300 metra e gjatë e lidh qytetin me sistemin rrugor të vendit.

Rreth 590,000 vjet më parë në këtë zonë shpërtheu një vullkan. Llava dhe hiri formuan një pllajë të përbërë nga shkëmbinjë vullkanik të vendosur mbi një shtresë të argjilës së butë. Për këtë arsye qyteti është përballur vazhdimisht me kërcënimin e rrëshqitjes së dheut.

Që nga viti 2000, banorët e qytetit kanë intensifikuar përpjekjet për të shpëtuar shtëpitë e tyre nga rrëshqitja e dheut. Qyteti gjithashtu ka ndërtuar shtatë puse të lidhura me shufra çeliku për të parandaluar shembjet.

“Ne jemi të rrethuar nga të gjitha këto çarje të shkëmbit. E gjithë kjo masë shkëmbi, mbahet nga këto puse e shufra çeliku", thotë gjeologu 49-vjeçar Luca Costantini, i cili punon në muzeun e gjeologjisë dhe rrëshqitjeve të dheut.

Ai thotë se shkëmbinjtë e ngjashëm të pabanueshëm, tashmë janë zhdukur tërësisht. Edhe shkëmbi mbi të cilin është ndërtuar qyteti i Civita di Bagnoregio do të zhdukej, nëse banorët e tij nuk do të ishin angazhuar për shpëtimin e tij.

“Gjatë tre mijëvjeçarëve të fundit ne kemi përjetuar një erozion regresiv që na ka zvogëluar në një bërthamë, të përbërë nga sheshi (i qytetit) dhe disa rrugë rreth tij”, thotë gjeologu Luca Constantini.

Numri i banorëve të përhershëm të qytetit luhatet nga 10 në 14 në varësi të stinës, dhe ai nuk ka asnjë farmaci, zyrë postare apo supermarket. Banorët duhet të shkojnë në qytetin fqinj për të blerë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme.

Për të financuar përpjekjet për të mirëmbajtur strukturat prej çeliku, zyrtarët e qytetit vendosën një tarifë për 1.5 eurosh për turistët në vitin 2013, duke tërhequr vëmendjen e medias dhe një numër të madh vizitorësh. Më vonë zyrtarët e qytetit e rritën tarifën në 5 euro, një ndihmë e madhe në përpjekjen për të ringjallur qytetin.

"Numri i turistëve u rrit nga 40,000 në vitin 2009, në mbi një milion në vitin 2019. Kjo solli përfitime të shumta ekonomike, hapjen e shumë bizneseve dhe shumë vende pune", thotë kryebashkiaku Profili.

Para koronavirusit, gjysma e vizitorëve ishin italianë dhe gjysma tjetër të huaj. Por, masat kufizuese kundër pandemisë së koronavirusit kanë krijuar vështirësi për qytetin. Restorantet dhe shumë biznese të tjera u mbyllën dhe numri i turistëve ra në zero. Stefano Lucarini, pronar i një prej 11 restoranteve të qytetit, ka qenë veçanërisht i pafat.

"Ishte një moment i rëndë sepse ne u detyruam të mbylleshim pak kohë pasi e kishim blerë lokalin dhe kishim filluar punën", thotë pronari i restorantit “Il Pozo Dei Desideri.”

Ai shpreson se gjërat do të përmirësohen pas përfundimit të pandemisë.

"Rreziku mjedisor është shqetësues, ne të gjithë e dimë historinë e Civitas dhe shpresojmë që pas pandemisë së Covid-19 nuk do të duhet të përballemi me këtë rrezik gjithashtu. Shpresojmë që për shumë vite të gjithë do të jenë në gjendje të shijojnë qytetin", thotë Lucarini.

Civita di Bagnoregio dhe lugina përreth janë kandidat për t'u bërë zonë e mbrojtur e UNESCO-s. Zëdhënësi i kryebashkiakut, Roberto Pomi, tha se Italia e paraqiti propozimin në janar dhe pret që UNESCO të vendosë për këtë në qershor të vitit të ardhshëm.

Ata shpresojnë që kërkesa e tyre të miratohet e të tërheqë vëmendjen e botës rreth historisë së mbijetesës së qytetit mesjetar duke e ndihmuar atë të jetojë sa më gjatë të jetë e mundur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG