Lidhje

Iran, probleme elektrike në centralin bërthamor


Kompleksi bërthamor Natanz i Iranit pësoi avari të dielën në rrjetin elektrik të shpërndarjes vetëm pak orë pasi vuri në punë centrifugat e reja që pasurojnë më shpejt uraniumin, njoftoi televizioni shtetëror i atij vendi.

Ky është incidenti i fundit që ndodh në një prej objekteve më të sigurta të Teheranit ndërsa vazhdojnë negociatat lidhur me marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore. Televizioni shtetëror citoi zëdhënësin e programit bërthamor civil të Iranit, Behrouz Kamalvandi, të njoftonte për incidentin.

“Fatmirësisht, incidenti nuk ka shkaktuar ndonjë dëm njerëzor ose ndotje. Shkaku i incidentit po hetohet”, e citoi televizioni shtetëror të ketë thënë zëdhënësin Kamalvandi.

Fjala që televizioni shtetëror përdori në njoftimin për cituar zëdhënësin Kamalvandi në gjuhën farsi ka edhe kuptimin e “aksidentit”.

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit, krahu civil i programit të saj bërthamor, më vonë publikoi një deklaratë duke përdorur të njëjtin formulim si njoftimi televiziv, por pa dhënë hollësi.

Kompleksi bërthamor Natanz, i goditur më parë nga virusi kompjuterik Stuxnet, është ndërtuar kryesisht nën tokë për t’u bërë ballë sulmeve ajrore. Në vitin 2002, ky kompleks u bë epiqendër e shqetësimeve perëndimore mbi programin bërthamor të Iranit, ndërsa pamjet satelitore tregonin ndërtimin nën tokë të objektit me centrifuga, që ndodhet rreth 200 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran.

Kompleksi Natanz pati një shpërthim misterioz në korrik në fabrikën e saj të avancuar të centrifugave, që më vonë autoritet e përshkruan si sabotim. Aktualisht Irani po e rindërton atë fabrikë në thellësi brenda një mali aty pranë. Ka patur dyshime se Izraeli, armiku rajonal i Iranit, ka kryer një sulm atje, si dhe ka ndërmarrë veprime të tjera, pasi fuqitë botërore negociuan me Teheranin në Vjenë mbi marrëveshjen e saj bërthamore.

Irani gjithashtu fajësoi Izraelin për vrasjen e një shkencëtari i cili filloi programin ushtarak bërthamor të vendit dekada më parë. Izraeli nuk ka marrë përsëripër asnjë nga sulmet, megjithëse Kryeministri Benjamin Netanyahu vazhdimisht e ka cilësuar Iranin si kërcënimin kryesor me të cilin përballet vendi i tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG