Lidhje

Influencuesja në TikTok thyen tabu e paragjykime


Aida Diouf Mbengue, personalitet infuencues në platformën dixhitale TikTok po thyen stereotipin e krijuar për gratë që mbajnë hixhab, apo shami koke. Kjo 19-vjeçare me banim në Itali ka 330,000 pasues në llogarinë e saj të tërhequr nga klipet e saj të kërcimit me muzikë pop.

Në mes të kompleksit luksoz Viktor Emanueli II në Milano, një vajzë e re afrikane, e mbuluar me një shami ngjyrë vjollcë vë celularin në dyshemenë prej mermeri dhe fillon të kërcejë nën tingujt që prodhon telefoni.

Disa kalimtarë shohin me kureshtje vajzën, një 19-vjeçare e quajtur Aida Diouf Mbengue e cila po regjistron një video për llogarinë e saj në platformën TikTok.

Ajo e përshkruan veten si afro-influencuese, pjesëtare e komunitetit të imigrantëve nga Afrika me banim në Itali që po ushtrojnë ndikim përmes medias sociale.

Me çdo video që poston, Aida po rrëzon barriera në Itali, duke shkatërruar stereotipet që ekzistojnë për vajza si ajo.

Nuk është e lehtë. Plot njerëz i kanë lënë në llogari komente të shëmtuara raciste, por ajo thotë se nuk ua vë shumë veshin:

"E kuptoj se ata që duan të më bëjnë të ndjehem keq nuk janë ndokush tepër i veçantë, prandaj e kaloj me të qeshur,” thotë ajo.

Aida thotë se më tepër e kanë prekur komentet e atyre që thonë se ajo e mbulon kokën për të tërhequr më shumë pasues në median sociale.

"E kam më të rëndë të pranoj kritika nga ata që i përkasin grupit tim, kur thonë ‘ti vë shami në kokë për të tërhequr pasues,’ por në fakt unë kam mbajtur shami koke që shtatë vjeçe, nuk po e bëj për popullaritet në TikTok”.

Aida u largua nga Senegali dhe u vendos në Itali me të ëmën kur ishte tre vjeçe.

Në vitin 2019 ajo hapi një llogari në TikTok me një video të thjeshtë që brenda tri ditësh ishte ndjekur 1 milionë herë.

Komentet që lexoi në përgjigje të videos e bënë të kuptonte se kishte plot ide të gabuara dhe njerëz të painformuar lidhur me gratë që mbulohen; se kishte njerëz që mendonin se një grua me hixhab nuk mund të ishte interesante, e këndshme apo me humor.

Tani ajo bën pjesë në një grup influencuesish në median sociale të organizuar nga 22-vjeçari Moustapha Thaim në maj 2020. Ai donte të krijonte një energji që do t’i jepte zë komunitetit të tyre.

"Afro-influencuesit u krijua në maj 2020 në mes të kufizimeve të pandemisë. Unë vetë isha influencues dhe njihja edhe të tjerë me origjinë nga Afika që kishin pasues në median sociale,” thotë zoti Thaim.

Stilistja Stella Jean thotë se këta të rinj po e shfrytëzojnë median sociale për një mision të vlefshëm për të përmbysur paragjykimet.

"Kur sheh videon e dikujt në TikTok mund të duket si diçka pa vlerë, thjesht sipërfaqësore. Por Aida ka punuar shumë për të arritur deri në këtë pikë dhe tani po shijon frytet e punës së saj. Ajo ka kapërcyer diskriminim, rezistencën, paragjykimet dhe u ka qëndruar pikëpamjeve të saj,” thotë stilistja.

Aida mishëron një Itali që po bëhet gjithnjë e më e larmishme nga pikëpamja etnike e racore. Sipas statistikave zyrtare, afro 9% e popullatës në vend janë shtetas të huaj. Afro 5% e këtij grupimi janë me origjinë nga Afrika.

Italia ka aktualisht një ndër ritmet më të ulëta të lindjeve në botë. Afro 20% e fëmijëve të lindur në Itali në 2020 ishin nga familje imigrante.

XS
SM
MD
LG