Lidhje

Shtetet e Bashkuara do të shtojnë trupat në Gjermani


Shtetet e Bashkuara do të shtojnë forcat e tyre në Gjermani mes tensioneve të fundit me Rusinë rreth Ukrainës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha sot në Berlin, pas takimit me homologen gjermane Annegret Kramp-Karrenbauer, se e kishte informuar atë rreth synimit për të dislokuar personel amerikan shtesë me rreth 500 pjestarë në zonën Wiesbaden qysh këtë vjeshtë.

Qershorin e kaluar, ish-Presidenti Trump tha se do të shkurtonte me një të tretën kontigjentin e trupave amerikane në Gjermani, nga 36 mijë në 12 mijë.

Zoti Austin, i cili kur ishte i ri shërbeu si ushtarak në Gjermani, solli një ton të ndryshëm, duke falenderuar Berlinin për kontributin në misionet e NATO-s dhe për hapat e ndërmarrë në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Shefi i Pentagonit shmangu pyetjet nëse stacionimi i trupave shtesë duhet të interpretohet si një mesazh për Rusinë mes tensioneve të reja mbi Ukrainën, por theksoi vlerën ushtarake për NATO-n nëse ka më shumë trupa tokësore në Evropë.

"Këto trupa do të forcojnë frenimin dhe mbrojtjen dhe do të shtojnë aftësitë tona ekzistuese për të parandaluar një konflikt dhe, nëse është e nevojshme, për të luftuar dhe fituar," tha ai. "Kjo do të përmirësojë mjaft aftësinë tonë për të rritur me shpejtësi numrin e forcave për mbrojtjen e aleatëve tanë, në momentin që do të kërkohet,” shtoi zoti Austin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG