Lidhje

Gjyqi ndaj Derek Chauvin, gjykatësi refuzon kërkesën për shpalljen e tij të pafajshëm

Gjykatësi në gjyqin ndaj Derek Chauvin, ish-oficerit të policisë të akuzuar për vrasjen e George Floyd-it, hodhi poshtë një kërkesë të avokatëve mbrojtjes të tij për ta shpallur atë të pafajshëm. Avokati Eric Nelson argumentoi të mërkurën se prokurorët nuk vërtetuan se zoti Floyd u vra për shkak të veprimeve që kreu zoti Chauvin.

Kërkesa vjen një ditë pasi një ekspert i përdorimit të forcës nga policia, i thirrur nga pala mbrojtëse dëshmoi se ish-oficeri i policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin ishte "i justifikuar" në vënien nën kontroll të afrikano-amerikanit George Floyd me gjurin në qafë vitin e kaluar dhe se kjo taktikë nuk duhet të konsiderohet si përdorim i forcës vdekjeprurëse.

Dëshmitari, Barry Brodd, i tha jurisë në gjyqin ndaj zotit Chauvin në Mineapolis se oficeri, i pushuar për vdekjen e zotit Floyd pas 19 vjetësh në detyrë , "përdori forcë të arsyeshme" kur mbajti nën kontroll 46 vjeçarin Floyd për më shumë se nëntë minuta.

Incidenti i vitit të kaluar shkaktoi protesta në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës kundër abuzimit të pakicave nga policia.

Prokuroria përfundoi argumentet e saj të martën, dhe avokati mbrojtës Eric Nelson filloi përpjekjen e tij për të dobësuar provat e konsiderueshme se oficeri Chauvin kishte shkelur parimet që kishte marrë nga trajnimet e tij policore kur arrestoi George Floydin nën dyshimin se ai kishte përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan.

Brodd, një dëshmitar kyç për zotin Chauvin, i cili ka dëshmuar në raste të tjera të bujshme kundër policëve të akuzuar për abuzimin e të dyshuarve për akte penale, tha se "është e lehtë të ulesh dhe të gjykosh, nga një zyrë, sjelljet e një oficeri. Po kjo është shumë më e vështirë nëse je në vend të oficerit".

I pyetur nga avokati Nelson nëse ai mendonte se mbajtja nën kontroll e Geroge Floydit nga oficeri Chauvin ishte forcë vdekjeprurëse, Brodd u përgjigj, duke thënë "Nuk ishte (përdorim i forcës vdekjeprurëse)."

Zoti Brodd i quajti veprimet e ish-oficerit "objektivisht të arsyeshme".

Eksperti i mbrojtjes: Veprimet e oficerit Chauvin ishin të "justifikuara"
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Prokurori Steven Schleicher, u përpoq të dobësonte argumentat e zotit Brodd kur e mori atë në pyetje.

Prokurori fitoi një mirëkuptim nga dëshmitari Brodd në lidhje me faktin nëse ishte përgjëgjësia a zotit Chauvin që të kuptonte rrethanat e ngjarjes kur Floydi po gulçonte dhe po thoshte, "Unë nuk mund të marr frymë", ndërsa ishte shtrirë në rrugë.

Prokuroria paraqiti për 11 ditë prova dhe dëshmi se polici i bardhë 45-vjeçar, Derek Chauvin shkeli praktikat normale të policisë në mënyrën se si e arrestoi afrikano-amerikanin Floyd, dhe provat mjekësore se Chauvin me veprimet e tij e asfiksoi të dyshuarin.

Avokati mbrojtës, Eric Nelson pohoi se Floydi vdiq për shkak të problemeve shëndetësore të lidhura me përdorimin e drogës, e jo për shkak të mënyrës se si Chauvin e arrestoi atë.

Nuk dihet nëse zoti Chauvin do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e tij. Por çështja po ecën me shpejtësi dhe argumentet përmbyllëse mund të bëhen javën e ardhshme. Juria e larmishme racore me 12 anëtarë mund të fillojë më pas diskutimet e saj mbi fajësinë ose pafajësinë e ish-policit Chauvin.

Derek Chauvin ka deklaruar pafajësine për akuzat e vrasjes dhe vrasjes me qëllim. Nëse dënohet, ai mund të përballet me shumë vite burg. Tre oficerë të tjerë të policisë që luajtën role të ndryshme në arrestimin e Geroge Floydit me 25 maj të vitit të kaluar janë në pritje të gjyqit, megjithëse akuzat kundër tyre ka të ngjarë të tërhiqen nëse Derek Chauvin shpallet i pafajshëm.

Prokurorët e shtetit të Minesotës përmbyllën argumentet pasi paraqitën një sërë provash kundër ish-oficerit Chauvin, duke përfshirë një video të policit me gjurin e tij në qafën e Floydit, dëshmitë e ekspertëve të policisë mbi përdorimin e duhur të forcës në arrestime dhe ato të personelit mjekësor mbi mënyrën se si Floydi vdiq.

Një nga dëshmitarët e fundit të prokurorisë, Seth Stoughton, profesor i drejtësisë në Universitetin e Karolinës së Jugut, dëshmoi të hënën se veprimet e zotit Chauvin shkuan përtej kufijve të asaj që një oficer i arsyeshëm policie do të kishte ndërmarrë në arrestimin e Floydit.

"Asnjë oficer i arsyeshëm nuk do të kishte besuar se ky ishte një përdorim i duhur, i pranueshëm ose i arsyeshëm i forcës", tha Stoughton për mënyrën se si Floydi u mbajt me fytyrë në tokë dhe me gjurin mbi qafë.

Ai tha se mos kthimi i Floydit në shpinë dhe mosdhënia e ndihmës së parë "pasi u bë e qartë gjendja e tij shqetësuese në rritje" nuk ishte i përshtatshëm për ato rrethana.

Stoughton tha se ishte e paarsyeshme të mendohej se George Floydi mund të lëndonte oficerët ose të arratisej pasi ishte prangosur dhe ishte shtrirë përtokë.

This item is part of

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG