Lidhje

Kosovë, thirrje për dënimin e autorëve të përdhunimeve gjatë luftës


Vasfije Krasniqi Goodman
Vasfije Krasniqi Goodman

Vasfije Krasniqi Goodman, është sot deputete në parlamentin e Kosovës. Në ditën e sotme, 22 vjet më parë, ajo ishte viktimë e përdhunimit nga forcat serbe. Zonja Krasniqi Goodman është e para që kohë më parë foli publikisht për përdhunimin që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

Kosovë, thirrje për dënimin e autorëve të përdhunimeve gjatë luftës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

“Para 22 vitesh kur mua më ndodhi tmerri dhe krimi më i madh që më ka ndodh në jetë, që më dërrmoi, më shuajti ëndrrat dhe mund të them ma shkatërroi jetën”, tha zonja Krasniqi.

Zonja Krasniqi Goodman foli sërish të mërkurën gjatë publikimit të një raporti të Qendrës së Kosovës për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, që dokumenton krimet e dhunës seksuale.

Kjo qendër tha se deri tani ka regjistruar 345 raste të dokumentuara prej të cilëve 20 janë burra. Prej tyre 6 për qind janë të komuniteteve jo shumicë si romë, ashkalinj, egjiptas dhe boshnjak ndërsa 11 për qind e rasteve janë fëmijë nën moshën 18 vjeç.

“Është e vështirë për të raportuar rastin kur dihet se drejtësia na ka munguar të gjithëve, nuk e kemi të dënuar asnjë kriminel për krimet që kanë bërë për dhunën seksuale dhe kjo i bën viktimat të heshtin sepse nuk ka drejtësi. Po shpresoj që unë si deputete në bashkëpunim me secilin deputet për drejtësi që viktimat të mos shuhen më dhe të mos harrohet ky krim”, tha zonja Krasniqi Goodman.

Drejtoresha e Qendrës së Kosovës për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, Feride Rushiti tha se dy dekada pas luftës Kosova ende ka vështirësi për trajtimin e krimeve te luftës. Ajo tha se gjatë këtyre viteve shoqëria në Kosovë ka ndikuar që viktimat e përdhunimeve të heshtin për shkak të paragjykimeve.

“Pa vetëdije ne kemi zbatuar strategjinë e dhunuesit duke i lënë ata të lirë dhe duke gjykuar viktimën si dhe duke ja vështirësuar edhe më tej jetën e saj. Prandaj kjo platformë e ndërtuar, që ka për qëllim dokumentimin e krimeve të dhunimit, mendojmë se përveçse do të kontribuojë drejt drejtësisë tranzicionale dhe ndërprerjes së ciklit të dhunës në Kosovë, por do ta përkrahë edhe më tej familjen, të mbijetuarat që të ecet drejt kërkesave që kanë mbetur ende të patrajtuara në raport me të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës”, tha zonja Rushiti.

Në raportin e kësaj qendre thuhet se 63% e rasteve të përdhunimeve kanë ndodhur nëpër fshatra ndërsa 37% në qytete. Po ashtu sipas raportit 13 viktima të përdhunimeve kanë mbetur shtatzëna ndërsa vetëm njëra prej tyre e ka lindur fëmijën.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se frika nga stigmatizimi ka bërë që shumica e personave të përdhunuar gjatë luftës të heshtin.

Organizata të shoqërisë civile dhe mbijetuesve të përdhunimeve kërkuan sot nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që data 14 prill të shpallet dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Në një postim më të gjatë në rrjetet sociale, Presidentja Osmani tha se kjo datë do të shënohet nën përkujdesjen e saj, ndërsa do të angazhohet që kjo çështje të rregullohet edhe me ligj.

Edhe më tej nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve por besohet se ky numër është rreth 20 mijë.

Që nga muaji shkurt i vitit 2018 kur është hapur procesi i verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, janë paraqitur 1 mijë e 444 kërkesa, prej të cilëve 928 janë miratuar, 212 janë refuzuar ndërsa të tjerat janë në shqyrtim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG