Dënimi me forcë i fenomenit të shitblerjes së votës, shqetësimet për kandidatët me të kaluar të dyshimtë, apo dhe sfidat me të cilat do të duhet të përballet qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet, ishin në qendër të një deklarate të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, pikërisht në prag të votimeve të 25 Prillit.
“Fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast. Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari”, thekson deklarata, duke shtuar se “po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet”. Përfaqësuesit e lartë të Kishës Katolike vënë në dukje se është “i papranueshëm fakti që, bashkëngjitur shitblerjes së votës, i shtohet edhe betimi në librat e shenjtë. Gjithashtu është e papranueshme që votimi të vijë nën formën e kërcënimit ose pas premtimeve të vendit të punës. Puna është fryt i meritokracisë dhe jo i partitizmit ose kahjes partiake”.
Ipeshkvijtë shprehen gjithashtu dhe për rëndësinë e figurës së kandidatëve: “nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi”.
Drejtuesit e Kishës katolike shpjegojnë se “votimi për zgjedhjet e përfaqësuesve në Parlament, paraqet një mundësi konkrete për të shprehur pjesëmarrjen tonë në jetën demokratike të vendit. Sfida e çdo procesi zgjedhor është garantimi i zgjedhjeve të ndershme dhe transparente, në të cilat respektohet çdo votë dhe çdo votues, ashtu sikurse edhe rezultati final”.
Deklarata e Konferencës Ipeshkvore ndalet dhe në sfidat e të cilat përballet vendi e që duhet të jenë në vëmendje të udhëheqësve të vendit, duke nisur që nga situata e krijuar nga Koronavirusi, duke kërkuar “strategji të mirëfillta psiko-sociale që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi”, te kapërcimi i pasojave të tërmetit. “Një prej prioriteteve me siguri se duhet të jetë rindërtimi, që ka nevojë të përparojë me ritme akoma më të shpejta”, theksohet në deklaratë.
Në rrafshin politik, përfaqësuesit e Kishës Katolike vlerësojnë se "është urgjente që reforma në Drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament”.
Deklarata përmend gjithashtu nëvojën për “një angazhim të të gjithëve për të eliminuar korrupsionin, që sikurse e kanë nënvizuar edhe në ditët e kaluara institucionet ndërkombëtare, mbetet sërish një grackë e rrezikshme në institucionet dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi. Një tjetër sfidë, me gjithë hapat që janë bërë përpara në këto 30 vite, mbetet integrimi evropian i Shqipërisë”.
Në rrafshin social, ipeshkvijtë e Shqipërisë ngrenë shqetësimin për “plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin vendin”. Sipas tyre “është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit, nga Veriu në Jug, në zonat rurale e në zonat urbane, ku shpeshherë vërehen situata ekstreme varfërie, mungesë infrastrukture dhe shërbimesh të domosdoshme, sidomos rrugë e shërbime shëndetësore. Më pas – theksojnë ata - na shqetëson niveli i mësimdhënies në shumë zona të vendit si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës.”
Përfaqësuesitë e lartë të Kishës katolike bëjnë thirrje që “të gjithë të merrnin pjesë në këtë moment të jetës demokratike të vendit. Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, është një detyrë dhe një e drejtë e çdo qytetari për ta ushtruar sipas ligjeve në fuqi dhe me liri të plotë. Prandaj, pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë”.
Facebook Forum