Lidhje

Arrestohet 28-vjeçari shqiptar, dyshohet se ndihmoi në masakrën e Nisës


Nice
Nice

Media italiane njoftoi të enjten se një shqiptar 28-vjeçar, i cili ishte në kërkim për sulmin me kamion në vitin 2016 në qytetin francez të Nisës, ku humbën jetën 86 njerëz, është arrestuar në Italinë e jugut.

Agjencia e lajmeve “LaPresse” tha se policia e arrestoi të dyshuarin, të identifikuar si Endri Blliku (Elezi), të mërkurën në Sparanise, rreth 40 kilometra në veri të Napolit.

Elezi ishte në kërkim pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet franceze, si i dyshuar se i kishte siguruar armë autorit të masakrës, Mohamed Lahouaiej Bouhlel.

Në Shqipëri, Policia e Shtetit tha se arrestimi ishte bërë duke koordinuar informacionet mes policisë shqiptare, franceze dhe asaj italiane. Ajo tha se i arrestuari ishte lindur dhe banues në Peqin dhe se kishte ndryshuar disa herë emrin për t’i shpëtuar kapjes.

Sipas autoriteteve, personi në fjalë është tani në pritje të procedurave për t’u ekstraduar në Francë.

Autori i maskrës Bouhlel u vra nga policia, pasi hyri me kamion përmes një turme njerëzish që ishte mbledhur për të parë një shfaqje fishekzjarresh Ditën e Bastijës, 14 korrik 2016.

Të njëjtën ditë, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin. Autoritetet franceze thonë se Bouhlel, tunizian me banim në Francë, u frymëzua nga propaganda e grupit ekstremist, edhe pse nuk janë gjetur prova që sulmi u orkestrua nga ISIS-i.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG