Lidhje

Indonezi, fundoset nëndetësja, 53 të vdekur


Të shtunën marina e Indonezisë tha se nëndetësja e zhdukur prej disa ditësh ishte fundosur dhe ishte çarë dhe se të 53 anëtarët e ekuipazhit të saj kishin vdekur. Autoritetet thanë se gjatë dy ditëve të fundit kishin gjetur sende që i përkisnin nëndetëses.

Shefi i Ushtrisë Hadi Tjahjanto tha se rrjedhja e vajit mbi ujë si dhe prania e mbeturinave pranë vendit ku u zhyt për herë të fundit të mërkurën nëndetësja në një zonë pranë ishullit të Balit, janë prova të qarta se nëndetësja (KRI Nanggala 402) është fundosur. Indonezia fillimisht e shpalli të zhdukur nëndetësen.

Shefi i Marinës Yudo Margono tha në një konferencë shtypi në Bali, se "nëse do të kishte patur një shpërthim, nëndetësja do të ishte bërë copë-copë. Çarjet ndodhën gradualisht në disa pjesë kur ajo u zhyt nga 300 në 400 metra e më pas në 500 metra ... Nëse do të kishte patur një shpërthim, do të ishte kapur nga pajisjet e posaçme për këtë qëllim".

Marina më parë tha se beson se nëndetësja ishte fundosur në një thellësi prej 600-700 metra, shumë më e thellë sesa zhytja e saj prej 200 metrash thellësi ku nëndetësja mund të përballojë presionin e ujit. Shkaku i zhdukjes mbetet ende i paqartë.

Marina kishte njoftuar më parë rreth një problemi me qarkun elektrik që mund ta kishte bërë nëndetësen të paaftë për të ekzekutuar procedurat në raste urgjence e të dilte sërish mbi sipërfaqen e ujit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG