Lidhje

Regjistrimi i bërë publik i kryediplomatit iranian ofron një pamje të qartë të pushtetit në Teheran


Një regjistrim i bërë publik, ku ministri i jashtëm iranian ofron një vlerësim të hapur të diplomacisë dhe kufizimeve të pushtetit brenda Republikës Islamike të Iranit, ofron një pamje të rrallë brenda teokracisë së atij vendi.

Rrjedhja e komenteve të bëra nga Mohammad Javad Zarif shkakoi një stuhi brenda Iranit, ku zyrtarët mendojnë me kujdes ato që do të thonë në mes një ambjenti të ashpër politik, që përfshin degën e fuqishme paramilitare të Gardës Revolucionare, që mbikqyret nga udhëheqësi suprem i vendit. Zoti Zarif është sugjeruar si një kandidat i mundshëm në zgjedhjet presidenciale të Iranit që mbahen me 18 qershor.

Por jashtë Iranit, komentet e Zarifit mund të ndikojnë gjithshatu edhe tek bisedimet e Vjenës që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje që Teherani dhe Uashingtoni të kthehen tek marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me fuqitë botërore.

Sabotimet vunë në shënjestër objektin bërthamor iranian në Natanz gjatë bisedimeve ndërsa Teherani ka filluar pasurimin e uraniumit të një niveli në masën 60%. Kjo e afron atë vend më pranë prodhimit të uraniumit të shkallës që përdoret për armët bërthamore.

Pas rrjedhjes në publik të bisedës, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, nuk e mohoi vërtetësinë e regjistrimit. Ai u tha gazetarëve të hënën se regjistrimi përbënte vetëm një pjesë të intervistës 7-orëshe që Zarifi dha për një ekonomist të mirënjohur që do të ruhet për brezat e ardhshme nga një organizatë e lidhur me presidencën iraniane.

Zëdhënësi tha se dalja e rregjistrimit ishte e paligjshme, duke thënë se ishte redaktuar në mënyrë selektive, pavarësisht se ai dhe të tjerët nuk kanë ofruar mendime se si regjistrimi u bë publik.

Duke vizituar Irakun, pas një udhëtimi në Katar, Zarifi nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas një deklarate në Bagdat.

Pjesë të intervistës së rrjedhur u transmetuan së pari mbrëmë nga kanali satelitor i lajmeve në gjuhën farsi “International Iran” me qendër në Londër dhe nën pronësinë e një shtetasi saudit.

Kanali satelitor i dha të hënën një gazetari të agjencisë së lajmeve Associated Press regjistrimin mbi tre orë të gjatë.

Në intervistë, Zarif e cilëson Rusinë si kundër marrëveshjes bërthamore, një çështje aq sensitive sa e paralajmëron intervistuesin: “Patjetër që kjo pjesë nuk mund të publikohet kurrë”. Rusia kishte një marrëdhënie të acartë me ish-Presidentin Barack Obama, administrata e të cilit siguroi marrëveshjen me Presidentin Hassan Rouhani. Në disa raste Rusia dhe Irani kanë marrëdhënie të tensionuara, pavarësisht se janë aleate në Siri.

“Nëse Irani nuk do të ishte bërë përparësia e tij (flitet për Donald Trump) Kina dhe Rusia do të ishin bërë përparësia. Për shkak të armiqësisë me Perëndimin, ne gjithmonë kemi nevojë për Rusinë dhe Kinën, që nuk kanë pse të konkurojnë me askënd dhe ata gjithmonë mund të gëzojnë përfitime maksimale përmes nesh”, thotë Zarifi në regjistrim.

Kina edhe Rusia kanë qënë mbështetëse të zëshme të rikthimit tek marrëveshja bërthamore. Misionet e tyre në Vjenë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të Associated Press për komente.

Në regjistrimin në fjalë, Zarifi ofron kritika ndaj Gjeneralit Qassem Soleimani të Gardës Revolucionare për marrëdhënie të veçuara me Rusinë.

Gjeneral Soleimani u vra në Bagdat në vitin 2020 nga një sulm amerikan me dron, duke çuar Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në prag të luftës. Varrimi i tij tërhoqi miliona njerëz nëpër rrugët e Iranit.

“Kam sakrifikuar diplomacinë për fushën e betejës më shumë se çmimin që kanë paguar dhe sakrificën që kanë bërë ata që ishin në fushën e betejës (të udhëhequr nga Soleimani) për diplomacinë”, tha Zarifi. Ai shtoi se Irani hoqi dorë nga shumë gjëra që ‘mund të kishte arritur nga marrëveshja bërthamore për hir të përparimit në fushën e betejës.

Zarifi tha se Soleimani refuzoi të ndalonte përdorimin e linjës ajore ‘Iran Air’ për operacionet në Siri pavarësisht kundërshtimeve të tij. Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj ‘Iran Air’ duke shkaktuar një krizë të gjatë që e detyroi linjën ajrore të përdorte avionë disa dekada të vjetër, shpesh me mungesë pjesësh këmbimi.

Ish-Sekreati i Shtetit Mike Pompeo, i cili drejtoi fushatën e presionit të administratës Trump ndaj Iranit, ndau në rrjetin Twitter lajmin mbi rrjedhjen e regjistrimit të diplomatit iranian, duke e përshkruar punën e administratës së kaluar si një “goditje të mprehtë” që “kishte ndikim masiv në Iran dhe Lindjen e Mesme.” “S’keni nevojë të më dëgjoni mua, këto i thotë Zarifi”, shkruan zoti Pompeo në Twitter.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG