Lidhje

SHBA: Shkaqet dhe pasojat e rënies në ritmet e shtimit të popullsisë


Zyra Amerikane e Regjistrimit të Popullsisë ka publikuar shifrat e para të të dhënave për regjistrimin e popullsisë që zhvillohet çdo dhjetë vjet. Ai tregon ritmet më të ulëta të shtimit të popullsisë që nga Depresioni i Madh. Të dhënat po ashtu tregojnë vazhdimin e prirjeve të zhvendosjes drejt zonave perëndimore dhe jugore të vendit. Kjo nënkupton se shtete si Kolorado, Florida dhe Teksasi do ta shtojnë numrin e përfaqësuesve në Kongres, ndërsa shtete si Nju Jorku dhe Ohajo do të humbasin vende. Ngaqë republikanët kontrollojnë shumicën e shteteve që fitojnë vende në Kongres, ata mund të përfitojnë nga ndryshimi i kufijve të zonave zgjedhore.

Të dhënat që mblidhen çdo dhjetë vjet nga Zyra amerikane e Regjistrimit të Popullsisë tregojnë se numri i popullsisë amerikane po rritet më ngadalë, por që vazhdon të zhvendoset drejt perëndimit dhe jugut.

Të dhënat e publikuara të hënën përfshijnë shifrat më bazë: ato të popullsisë në nivel kombëtar dhe shtetëror dhe detaje se si ato ndikojnë në përfaqësimin e shteteve në Kongres. Por kishte ndër to edhe surpriza që nxirrnin në pah prirje me ndikim.

Pesë prirje që zbulohen nga të dhënat:

RRITJE MË E VOGËL NË TË ARDHMEN?

Popullsia në SHBA arriti në 331 milionë, falë ritmeve të shtimit prej 7.4% krahasuar me totalin e dalë nga numërimi i vitit 2010. Kjo shifër përfaqëson rastin e dytë me rritjen më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Një rritje më e ulët se kaq u vërejt në vitet 1930, kur popullsia u rrit me vetëm 7.3%.

Rritja e ngadaltë e asaj dekade ishte e lidhur me Depresionin e Madh. Ngadalësimi i rritjes së popullsisë këtë radhë është i lidhur me pasojat e gjata të Recesionit të Madh, pas rënies së tregut të pasurive të patundshme në 2008. Rimëkëmbja e ngadaltë ndikoi negativisht tek shanset e shumë të rinjve për të gjetur punë, duke vonuar planet për martesë dhe për të krijuar familje. Kjo shkaktoi rënie në numrin e lindjeve. Pandemia e vjetshme i vështirësoi edhe më tej problemet.

Pas Depresionit të Madh, ritmet e lindjeve u rritën përsëri, por këtë radhë demografët nuk janë shumë optimistë për përmirësim. Shumica e tyre parashikojnë rritje edhe më të ngadaltë të popullsisë në dekadat që vijnë. Amerikanët po plaken - mosha mesatare në SHBA është 38 vjeç, një vit më e lartë krahasuar me 37 vjeç që ishte në 2010. Imigracioni kishte rënë edhe para se pandemia ta paralizonte praktikisht ardhjen e imigrantëve. Shumë republikanë kanë përqafuar qëndrime kundër imigracionit, të ligjshëm ose të paligjshëm, një pengesë e re politike ndaj rritjes më të shpejtë të popullatës amerikane.

"Ndryshe nga Depresioni i Madh, këtë radhë po shohim një prirje që ka të ngjarë që të rezultojë në rritje më të pakët të popullsisë,” thotë William Frey, demograf në Institutin Brookings në Uashington.

Kjo mund të ketë pasoja problematike për të ardhmen e kombit.

"Avantazhi i madh demografik që SHBA gëzonin dikur ndaj kombeve të tjerë të pasur është zhdukur," shkruante në Twitter John Lettieri, presidenti i Grupit të Novacionit Ekonomik pas publikimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë. "Tani ka më shumë amerikanë që janë 80 vjeç e sipër se sa ka 2 vjeçarë apo më të vegjël”.

VAZHDON MIGRIMI I MADH

Popullsia në SHBA mund të jetë duke u rritur me ritme më të ngadalta, por prirja e zhvendosjes drejt jugut dhe perëndimit vazhdon.

Florida, Montana dhe Karolina e Veriut regjistruan secila rritje të mjaftueshme të popullatës për të shtuar një vend në Kongres, ndërsa Teksasi që po përfiton nga bumi ekonomik, ka fituar dy vende shtesë. Koloradoja dhe Oregoni po ashtu do të kenë vende shtesë, ndërsa Miçigani, Nju Jorku dhe Pensilvania humbasin vende.

Censusi i kësaj radhe thekson një histori të njohur: amerikanët janë zhvendosur nga pjesa qendrore dhe verilindore e industrializuar prej shekujsh, duke rendur pas vendeve të punës, banesave me kosto me të lirë dhe lagjeve e qyteteve ku jeta është më cilësore.

Por, për çudi, ai shtet që ka simbolizuar prej kohësh rendjen e amerikanëve pas të resë dhe ndryshimit nuk ruan më atë status. Shkalla e rritjes së popullsisë në Kaliforni nuk ishte e mjaftueshme për të ruajtur të paprekura 53 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve. Shteti amerikan me popullsinë më të madhe humbet një vend në Kongres për herë të parë në historinë e tij, një fakt që ka ndezur debatin nëse fajin për këtë tkurrje e ka qeverisja demokrate e shtetit.

LAJME TË MIRA PËR REPUBLIKANËT, SË PAKU PËR MOMENTIN

Ndryshimet demografike të popullsisë do të përkthehen shpejt në zhvendosje politike. Të dhënat e censusit i japin shtysë procesit për ndryshime në zonat elektorale që shërbejnë për zgjedhjen e delegatëve në legjislacionet shtetërore dhe Kongres.

Të dhënat e publikuara të hënën ishin përgjithësisht pozitive për republikanët. Ata kontrollojnë procesin e ndryshimit të hartës së zonave elektorale në Florida, Karolinën e Veriut dhe Teksas, të cilat kanë katër nga shtatë vendet e reja për Kongres.

Koloradoja dhe Oregoni, dy shtetet demokrate që përfitojnë vende të reja nuk do t’ia lejojnë legjislaturës së kontrolluar nga demokratët të bëjë procesin e ndryshimit të zonave elektorale. Në Oregon, demokratët kanë rënë dakord t'u japin ligjvënësve republikanë të drejtë të barabartë në këmbim të një premtimi për të mos bllokuar nisma të tjera legjislative. Në Kolorado, votuesit ia hoqën të drejtën organit legjislativ për të përcaktuar hartën e zonave elektorale dhe ia dhanë detyrën një komisioni të pavarur.

Vendet e reja janë vetëm pjesë e betejës së ashpër për përcaktimin e zonave elektorale. Në gusht, Zyra e Regjistrimit të Popullsisë pritet të lëshojë informacione të hollësishme përfshirë edhe përbërjen e lagjeve, lidhur me të dhënat se ku jeton pothuajse çdo person. Hartat e reja elektorale do të ribëhen në secilin shtet për të siguruar përfaqësim të barabartë. Por një parti mund të përfitojë duke i grupuar kundërshtarët në një zonë të vetme elektorale, gjë që i garanton se partia rivale nuk do të fitojë kurrë në atë shtet.

Tani për tani, Partia Republikane kontrollon më shumë legjislatura dhe administrata shtetërore dhe ka avantazh në shtetet në rritje. Republikanëve u duhen vetëm pak vende shtesë për të marrë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve.

"Unë mendoj se republikanët, kur të bëhet e gjithë kjo, do të jenë në gjendje të shkëlqyeshme për të rimarrë shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve në 2022," thotë Adam Kincaid, drejtor ekzekutiv i grupit brenda Partisë Republikane, që mbikqyr procesin e hartës së re elektorale.

Por ky proces paraqet edhe sfida për republikanët. Shumë nga banorët e rinj të shteteve me rritje popullate janë në moshë të re dhe jo të bardhë, që në masë dërrmuese votojnë për demokratët. Mund të jetë e vështirë për republikanët të ruajnë avantazhin e tyre për pjesën më të madhe të dekadës, pavarësisht se çfarë forme u japin hartave të distrikteve zgjedhore.

PROBLEME ME NUMËRIMIN E LATINO-AMERIKANËVE?

Në bazë të parashikimeve, procesi pritej të rezultonte edhe më pozitiv për Partinë Republikane. Teksasi ishte parashikuar të fitonte tre vende në Kongres, Florida dy dhe Arizona një. Rezultatet reale ishin tronditëse për demografët dhe mungesa e të dhënave të hollësishme e bëri të vështirë të kuptohej se çfarë ndodhi.

Një shpjegim është se latino-amerikanët nuk po llogariten si duhet në numërimin e popullsisë. Ata përbëjnë një segment të madh të banorëve në këto tre shtete, që nuk siguruan shtimin e pritshëm të vendeve në Kongres. Ish-Presidenti Trump bëri presion pa sukses që të shtohej një pyetje mbi shtetësinë në census, duke shkaktuar akuza se ai donte të frikësonte latino-amerikanët që të mos merrnin pjesë në proces. Numërimi aktual filloi gjatë pandemisë së koronavirusit kur ishte veçanërisht e vështirë për të kontaktuar popullata të caktuara.

Ndoshta mospërputhja mes shtimit të popullsisë që pritej të rezultonte nga numërimi dhe shifrës që rezultoi pas cencusit ishte rezultat i mosnumërimit të plotë të latino-amerikanëve. Por është ende herët të thuhet pa u publikuar të dhëna më të hollësishme që priten në vjeshtë.

"Rezultatet fillestare janë mjaft befasuese. Sapo të publikohen më shumë detaje, do të jemi në gjendje të identifikojmë më mirë deri në çfarë mase u numërua saktësisht popullata latine," thotë Arturo Vargas, president i Shoqatës Kombëtare të Zyrtarëve të Zgjedhur dhe të Emëruar Latino-Amerikanë.

Thomas Saenz, president i Fondit të Mbrojtjes dhe Edukimit Ligjor Meksikano-Amerikan, tha se ai nuk ishte gati t’u binte "këmbanave të alarmit" rreth një numërimi më të ulët të latinëve, duke vënë në dukje se rritja e numrit të latinëve të llogaritur gjatë censusit mund të ketë ndihmuar Nju Jorkun të shmangë humbjen e një vendi të dytë në Dhomën e Përfaqësuesve.

LUHET ME MILIGRAMË

Ky numërim i popullsisë ishte i vështirë për Nju Jorkun. Rritja e popullatës është ngadalësuar për vite me rradhë dhe ka pasur një largim të banorëve nga zonat veriore të shtetit si dhe në perëndim të qytetit të Nju Jorkut. Por, gjatë një konference shtypi të hënën, zyrtarët e Byrosë së Regjistrimit njoftuan se shtetit i duheshin 89 banorë të tjerë, për të ruajtur numrin aktual të delegatëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Përcaktimi i numrit të deputetëve që çon secili shtet në Kongres është lojë plusesh e minusesh: Dhoma e Përfaqësuesve ka 435 vende, që ndahen mes shtetet individuale. Minesota arriti të shpëtonte për pak duke mos humbur një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Nëse Nju Jorku do të kishte dalë gjatë regjistrimit me 89 banorë ekstra, do të kishte ruajtur të pacënuar numrin e delegatëve në Kongres, ndërsa Minesota do të kishte humbur një vend në Dhomën e Përfaqësuesve.

Minesota, e cila kishte shkallën më të lartë të mbushjes vullnetarisht të formularit për regjistrimin e popullsisë (pa pasur nevojë për punonjës që shkojnë derë më derë për të mbledhur të dhëna për banorët) siguroi vendin e fundit për Dhomën e Përfaqësuesve edhe në 2010 në konkurrencën mes shteteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG