Lidhje

Shqipëri, mbyllet numërimi, PS fituese me 74 mandate


Në Shqipëri, rezultati përfundimtar, konfirmoi fitoren e tretë radhazi të Partinë socialiste të Kryeministrit Edi Rama. Kjo forcë politike ka siguruar 74 mandate. Në krahun tjetër, Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo udhëhoqi siguroi 59 mandate. Ndërsa aleatja e saj kryesore, Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, mundi të arrijë, vetëm 4 vende në parlamentin e ardhshëm.

Diferenca mes dy krahëve është prej 11 mandatesh, por ajo mund te shkojë dhe përtej, pasi Partia Socialdemokrate e cila mori në mënyrë surprizë 3 mandate, ka shprehur publikisht gatishmërinë për të bashkëpunuar me socialistët.

Harta e 12 qarqeve të vendit, sheh Veriun e Shqipërisë të kontrolluar nga opozita, e cila kryeson në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Lezhës si dhe Dibrës.

E gjithë pjesa tjetër, në 8 qarqe, rezulton të jetë fituar nga socialistët që kanë marrë më shumë deputetë.

Presidenti Ilir Meta tha të martën se ndjehej “i lumtur, që 25 prilli mund t'i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen - institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 prillit”, - u shpreh zoti Meta.

Socialistët shpallën fitoren të martën në mbrëmje, ndërsa u mblodhën duke festuar në Sheshin Skënderbej. Për kryetarin socialist Rama “kjo ishte fitorja më e vështirë, më e madhja dhe më e bukura e Partinë Socialiste”, ndërsa ju drejtua kryetarit demokrat Lulzim Basha që të pranonte “humbjen me dinjitet dhe bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë sa munde”.

Zoti Rama i kushtoi më pas pjesën më të madhe të fjalës së tij, nevojës për bashkëpunim mes palëve, për të lënë pas shpine traditën e konfliktit të ashpër politik. “Me apo pa Bashën, ne e kemi të qartë se opozita është PD dhe fitorja jonë e madhe dhe e thellë e bën më të madh detyrimin për t’i shtrirë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë pa asnjë kufizim” - tha zoti Rama.

Por pak pas tij, përgjigja që erdhi nga kryetari demokrat Lulzim Basha ishte ajo e akuzave të rënda ndaj procesit zgjedhor të 25 Prillit.

Bashkimi Europian i kërkoi të martën forcave politike shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

"Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”, saktësonte deklarata e përbashkët e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell dhe Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Të hënën, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara presin nga kandidatët dhe udhëheqësit e Shqipërisë që të pranojnë vendimin e votuesve kur të përfundojë numërimi i votave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG