Lidhje

Basha flet për masakër elektorale, por zëra nga PD kërkojnë largimin e tij


Kryetari demokrat Lulzim Basha u shfaq sot në mbrëmje duke denoncuar shkelje të rënda sipas tij të garës zgjedhore. Me në sfond një grup të rinjsh të vendosur në shkallët hyrëse të selisë së Partisë Demokratike dhe i shoqëruar nga një grup kandidatësh për deputetë, që morën pjesë në garën e së dielës, zoti Basha tha se “ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale”, u shpreh zoti Basha.

Kryetari demokrat foli për “dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”.

Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë një kopje të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, përfshi dhe pamjet filmike në qendrat e votimit dhe ato në qendrat e numërimit të votive.

Zoti Basha deklaroi se beteja e tij në mbrojtje të demokracisë nuk do të rreshtë. “Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë”, u shpreh ai duke ju drejtuar qytetarëve .

Por ndërsa zoti Basha bën të ditur se do të luftojë për të deligjitimuar zgjedhjet e 25 Prillit, atij do t’i duhet të përballet dhe me zërat kundërshtues ndaj tij, nga brenda vetë partisë. Pasdite, anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli kërkoi largimin e zotit Basha nga drejtimi i Partisë. “Ne duhet ta pranojmë se nuk kishim një propozim fitues për Shqipërinë. Alternativa jonë ishte vetëm kryetari i partisë, që u dëshmua përsëri e pamjaftueshme. Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak here edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por më shumë se kaq, ky është një model që ka shterruar”. Duke shpallur kandidimin e tij për të marë drejtimin e PD-së, zoti Kadilli I bëri thirrje ”kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re”.

Në mbrëmje, ish presidenti Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar, kërkoi gjithashtu largimin e zotit Basha, me një gjuhë mjaft të ashpër. “Rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur. Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak. Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë”, shkruajti zoti Nishani në një status në Facebook, duke reaguar ndaj pozicionit që kryetari democrat mbajti në fjalën e tij sonte. “Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal ! Zoti Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh ! Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike. Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu”, theksoi më tej zoti Nishani duke mbyllur deklaratën e tij me fjalinë se “askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG