Lidhje

Vaksina kundër Covid-19, ndryshimi i klimës në axhendën e takimit të G-7-ës 


Takimi i ministrave të G-7 në Londër
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Të mërkurën ndërsa mbyllën bisedimet tre ditore në Londër, ministrat e Jashtëm të grupit të vendeve më të industrializuara të botës (G7) kthyen vëmendjen tek çështjet me interes global, duke përfshirë vaksinat kundër koronavirusit, ndryshimin e klimës dhe arsimimin e vajzave.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut Naledi Pandor "nënvizuan nevojën për të zgjeruar prodhimin global të vaksinave kundër Covid-19 dhe për të bashkëpunuar mbi projektet e tyre mbi klimën", gjatë takimit të tyre në periferi të mbledhjes së G-7-ës.

Zyrtarë nga Australia, India, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe Brunei iu bashkuan takimit të Ministrave të Jashtëm të G-7-ës në Londër këtë javë, në cilësinë e të ftuarve.

Takimi i ministrave të jashtëm u përfshi nga një frikë për infektim me COVID-19 kur delegacioni indian që mori pjesë në disa takime vendosi të vetë-izolohej pas njoftimeve për raste pozitive me koronavirus.

"Ne nuk kemi asnjë arsye të besojmë se anëtarët e delegacionit tonë janë në rrezik", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Zoti Price shtoi se "delegacioni amerikan u këshillua, përfshirë edhe nga profesionistët e shëndetësisë të Britanisë së Madhe, që të respektohen rregullat për vënien e maskave, distancimin fizik dhe protokollet e testimit ditor për të lejuar vazhdimin e aktiviteteve tona në takimin e G-7-së, ashtu siç ishte planifikuar".

Koreja e Veriut ishte në rendin e ditës në takimin e Sekretarit të Shtetit Blinken të mërkurën me Ministrin e Jashtëm japonez Motegi Toshimitsu dhe Ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut Chung Eui-yong, ku ata rikonfirmuan solidaritetin trepalësh në lidhje me shqetësimet e përbashkëta për programet e raketave bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.

Në takim u diskutua edhe për Rusinë dhe Kinën.

Ministrat e G-7 dënuan dislokimin e fundit të trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

“Nëse Rusia zgjedh të veprojë në mënyrë të rrezikshme, apo agresive ne do të përgjigjemi. Por ne nuk po kërkojmë të përshkallëzojmë situatën. Ne do të preferonim të kishim një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe më të parashikueshme", tha sekretari i Shtetit Antony Blinken.


Kina është gjithashtu një temë e rëndësishme.

“Nuk është qëllimi ynë të përpiqemi ta kemi Kinën në kontroll, apo ta mbajmë Kinën poshtë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të mbështesim rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla", tha sekretari Blinken.

Media shtetërore kineze akuzoi Shtetet e Bashkuara të martën për atë që e cilësoi si - "përdorim të qëllimishëm të nocionit 'kërcënimi kinez’. G-7 po mbështet parimet bazë mbi të cilat u themelua në vitin 1975, thotë analisti John Kirton.

“Të mbrojë vendet anëtare dhe të promovojë vlerat e demokracisë së hapur dhe lirisë së njeriut në mbarë botën. Këto parime u kërcënuan shumë nga një ekspansion i Rusisë në vitin 1975. Dhe kërcënohen ende sot nga Rusia, por edhe Kina dhe regjimet e tjera autoritare”, thotë për Zërin e Amerikës analisti John Kirton.

Britania ftoi gjithashtu ministrat e jashtëm nga Australia, India, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut në bisedime - një demonstrim i përqendrimit të Londrës në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Pra, ajo që po shohim është krijimi i një familjeje më të gjerë demokratike. Dhe nëse ata janë të gatshëm të vendosin emrat e vendeve të tyre në letër krahas shtatëshes, ky do të jetë një sinjal edhe më i fuqishëm ", thotë analisti Kirton.

Ministrat e jashtëm të G-7 diskutuan gjithashtu për një përgjigje të koordinuar ndaj puçit ushtarak në Mianmar dhe goditjes së dhunshme të protestave pro-demokracisë, si dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nga Afganistani, e cila filloi këtë muaj.

"Të sigurojmë që të ruajmë aftësinë për t'u përballur me terrorizmin, që përparimi i arritur në Afganistan nuk do të shuhet dhe gjithashtu të shtyjmë përpara dialogun dhe një proces paqësor nga i cili përfitojnë të gjithë afganët", tha sekretari i jashtëm britanik Dominic Raab.

Ndërkohë, aktivistët po i bëjnë thirrje G-7 për të siguruar që vendet e varfëra të kenë qasje tek vaksinat e koronavirusit. Kombet e Bashkuara thonë se gati 90% e të gjitha vaksinave të administruara në të gjithë botën kanë shkuar në vende më të pasura.

Përgjigja ndaj pandemisë do të jetë në fokus kur Britania të organizojë takimin e udhëheqësve të G-7 në qershor, çka do të shënojë vizitën e parë të Presidentit Joe Biden jashtë shtetit si president i SHBA.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG