Lidhje

Polemikat mbi murin kufitar mes SHBA dhe Meksikës


Polemikat mbi murin kufitar mes SHBA dhe Meksikës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Polemikat mbi murin kufitar mes SHBA dhe Meksikës

Ndërtimi i një muri kufitar prej më shumë se 3000 kilometrash mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës ishte një premtim i administratës Trump. Por deri në fund të presidencës së tij, ishin ndërtuar vetëm 160 kilometra mur i ri ndërsa u modernizua gati 560 kilometra mur ekzistues. Projekti u braktis nga administrata Biden, por i përfunduar ose jo, muri ende ka një hije të hidhur përgjatë disa pjesëve të kufirit.

“Familja ime ka patur një fermë këtu në Arizona që nga viti 1885”, thotë Jim Chilton, ferma e të cilit shtrihet përgjatë 200 kilometrash.

“Kjo tokë është e Meksikës ndërsa këtu është Arizona e Shteteve të Bashkuara. Para se të vinin murin, para se Biden ta ndalonte atë, e gjithë kjo zonë kishte transportues drogash. Ata tani kalojnë përreth murit, shkojnë në këtë drejtim për në Arivaca", thotë Jim Chilton.

Ndërtimi i një muri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës ishte një përparësi kryesore e administratës Trump dhe Kongresi miratoi në buxhetin e vitit 2021 mbi një miliard dollarë për ndërtimin e tij. Por Presidenti Joe Biden e quajti murin një humbje parash. Ai i ngriu fondet dhe e ndërpreu ndërtimin e murit në një nga veprimet e tij të para si president.

"Mendova se muri ishte shumë jo-produktiv për sigurinë tonë, jo-produktiv për vlerat tona, veçanërisht në fushën e imigracionit", tha presidenti Biden.

Familja Chilton thotë se pa murin, toka e tyre është një vend i lehtë për emigrantët e paligjshëm, që kalojnë kufirin për në Shtetet e Bashkuara.

"Natën kalojnë njerëz me pako të mëdha. Nuk mund të themi me siguri se çfarë sjellin, por janë shumë njerëz", thotë Sue Chilton.

Victor Manjarrez, një ish-agjent patrullimi kufitar, i cili tani punon në Universitetin e Teksasit, thotë se një mur i përfunduar, një pengesë fizike mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës do të nënkuptonte më pak kalime të paligjshme të kufirit dhe do të zvogëlonte nevojën për monitorim të vazhdueshëm.

"Mesazhi ishte për shpresë, dhe një pjesë e kësaj shprese kishte të bënte me zbutjen e disa prej masave të sigurisë", thotë zoti Manjarrez.

Por edhe zonat e përfunduara të murit nuk mund t'i mbanin njerëzit larg.

Një 23-vjeçare që e quan veten "Alicia" nga frika e hakmarrjeve, kaloi një nga ato zona të murit. Ajo u dëmtua. Shumë pësojnë lëndime serioze ose vriten duke u përpjekur të kalojnë për në Shtetet e Bashkuara.

"Ishte pjesa më e lartë e murit kur u rrëzova nga rreth 10 metra lartësi. Pasi rashë, qëndrova atje për rreth një orë në të ftohtë, dhe pastaj oficerët e kufirit erdhën dhe më çuan në spital", shpjegon Alicia.

Jo të gjithë që jetojnë përgjatë kufirit mbështesin ndërtimin e murit. Por familja Chilton thotë se e konsideron të rëndësishëm për sigurinë e tyre.

"Do të doja ta shihja të përfunduar", thotë Sue Chilton.

Por edhe mbështetësit e ndërtimit të murit e pranojnë se përgjigja e vërtetë për problemin e imigracionit në Shtetet e Bashkuara do të hartohet në Uashington përmes legjislacionit, e jo përgjatë kufirit në formën e një muri.

“Jo vetëm në nivelin federal, por e dëgjon këtë edhe në nivel lokal, ku njerëzit thonë se ne nuk mund të vazhdohet më me këtë kalim të njerëzve ", thotë hulumtuesi Victor Manjarrez me Universitetin e Teksasit

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG