Lidhje

Shqipëri: Vaksinimi kundër COVID-19 shtrihet në zonat rurale


Qendra shëndetësose Kastrat ndodhet në fshatin Aliaj të Malësisë së Madhe dhe është një nga 12 qendrat e ngjashme në këtë bashki malore. Prej disa javësh, tre infermiere po bëjnë vaksinimin e banorëve me vaksinat Astrazeneca dhe Coronavac. Kryeinfermierja Brunilda Deda thotë se vaksinimi po ecën normalisht dhe se ai është shtrirë deri në fshatrat më të largët të kësaj bashkie.

“Kemi zona malore shumë të thella, ku lëvizja e vaksinave është bërë me termus deri në zonën e Bratoshit dhe aty, infermierët e zonës kanë vazhduar vaksinimin e përsonave pasi grupi i përsonave plus 80 dhe plus 70 vjeç e kanë pasur shumë të vështirë për të ardhë në qendrën shëndetësore të Kastritit. Prandaj janë vaksinuar në qendrën shëndetësore të Bratoshit”, tha ajo.

Shqipëri, vaksinimi shtrihet në zonat rurale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:21 0:00

Kryeinfermierja Deda thotë se një pjesë e madhe e banorëve paraqesin interesim për t’u vaksinuar me vaksinat anticovid dhe se të gjithë të vaksinuarit regjistrohen në sistemin kompiuterik.

Prej disa javësh vaksinimi masiv në Shqipëri është shtrirë edhe në zonat rurale, duke përfshirë të gjithë territorin e vendit. Kryevaksinatori i Shkodrës, Arben Xhabija, thotë se vaksinimi tashmë është shtrirë deri në zonat më të thella malore.

“Vaksinimi bëhet në të gjitha qendrat shëndetësore të Bashkisë së Shkodrës, duke përfshirë edhe zonat e thella malorë dhe të gjitha qendrat shëndetësore që janë në periferi të qytetit të Shkodrës dhe Bashkisë Vau Dejës. Nuk ka asnjë vështirësi, sepse vaksina që ne kemi, Coronavac, është një vaksinë që duron në temperaturën dy deri ne tetë gradë dhe është një dozëshe. Vaksinatorët e marrin me termobokse dhe e aplikojnë në zonat e tyre për të gjithë individët që janë të planifikuar për vaksinim”, tha ai.

Deri tani, në Bashkinë e Shkodrës janë vaksinuar më shumë se 25 mijë përsona, 8 mijë prej të cilëve kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës. Kryevaksinatori Xhabija thotë se, në të gjithë territorin, ka përsonel mjeksor të trajnuar për bërjen e vaksinave, ç’ka ka mundësuar edhe vaksinimin deri në fshatrat më të largët.

Vaksinimi masiv në Shqipëri ka nisur me datën 11 janar, fillimisht në qendrat kryesore të vendit, për t’u shtrirë tashmë në të gjithë territorin, sipas një kalendari të kombinuar. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer rreth 600 mijë doza të vaksinës anticovid, prej të cilave mbi 460 mijë vaksinime për përsonat mbi 60 vjeç. Shqipëria i ka dhënë përparësi vaksinimit të përsonelit shëndetësor, të moshuarve. mësuesve, punonjësve të policisë dhe, se fundmi, edhe stafeve të operatorëve turistikë, duke i paraprirë sezonit turistik veror.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG