Të martën një gjykatës federal hodhi poshtë kërkesën për falimentim të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA), duke hapur rrugën që grupi më i fuqishëm që operon në fushën e të drejtave të armëve, të përballet me një padi gjyqësore të shtetit të Nju Jorkut, që e akuzon për abuzime financiare duke synuar falimentimin e tij.
Çështja lidhej me atë nëse NRA-ja duhej konsideruar nën juridiksionin e Teksasit dhe jo atë të Nju Jorkut, shtet që e ka paditur shoqatën në një përpjekje për ta shpërbërë atë. Megjithëse selia qendrore ndodhet në Virxhinia, NRA-ja është themeluar si një organizatë jofitimprurëse në Nju Jork në 1871 dhe rezulton e regjistruar në këtë shtet.
Gjykatësi Harlin Hale shprehej në një urdhër me shkrim se ai e kishte pushuar çështjen pasi gjeti se kërkesa për falimentim e bërë nga shoqata nuk përmbushte detyrimet ligjore.
"Gjykata beson se qëllimi i NRA-së paraqitur në kërkesën për falimentim nuk përbën një rast falimentimi tradicional, në të cilin një debitor përballet me vështirësi financiare ose kur nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga një vendim gjykate. Ajo është më shumë një rast ku falimentimi shihet si mundësi për të fituar një avantazh të padrejtë në një proces gjyqësor ose për të shmangur rregulloret”, shkroi Hale.
Vendimi vjen pas 11 ditë dëshmish e argumentim të palëve mbi çështjen. Avokatët e shtetit të Nju Jorkut dhe ish-agjencisë së reklamave të NRA-së, kritikuan ashpër zyrtarin e lartë ekezekutiv të këtij grupi, Wayne LaPierre, i cili pranoi se e kishte nisur procedurat e falimentimit pa dijeninë ose pëlqimin e shumicës së anëtarëve të bordit e zyrtarëve të tjerë të lartë të organizatës.
"Përjashtimi i kaq shumë njerëzve nga procesi për të vendosur mbi procedurat e falimentimit, përfshirë shumicën dërrmuese të bordit të drejtorëve, zyrtarin kryesor për financat dhe këshilltarin e përgjithshëm, është diçka tronditëse", shtoi gjykatësi.
Avokatët e zyrës së Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James argumentuan se çështja ishte një përpjekje e drejtuesve të NRA-së për t'i shpëtuar përgjegjësive për përdorimin e parave të organizatës për interesat e tyre personale. Por avokatët e NRA-së thanë se ishte një përpjekje e ligjshme për të shmangur një sulm politik nga ana e zonjës James, një përfaqësuese e Partisë Demokrate.
Gjatë dëshmisë së tij zoti LaPierre tha se e kishte mbajtur të fshehtë çështjen e falimentimit kryesisht për të parandaluar rrjedhjet e informacionit nga bordi prej 76 anëtarësh i organizatës, që ndan qëndrime të ndryshme ndaj tij.
NRA-ja shpalli falimentimin në muajin janar, pesë muaj pasi zyra e zonjës James e paditi duke kërkuar shpërbërjen e organizatës nën akuzat se drejtuesit e saj kishin devijuar në mënyrë të paligjshme me dhjetëra miliona dollarë për udhëtime luksoze personale, për të blerë heshtjen e disa anëtarëve të organizatës si dhe shpenzime të tjera të dyshimta.
"NRA-ja nuk mund të diktojë nëse do të përgjigjet dhe ku për veprimet e saj dhe çështja do të vazhdojë në gjykatën e Nju Jorkut", shkruante në një postim në Twitter zonja James pas vendimit të gjykatës. "Askush nuk është mbi ligjin".
Zonja James paditi NRA-në gushtin e kaluar, duke thënë në atë kohë se "shkalla e korrupsionit dhe e paligjshmërisë" në NRA justifikonin mbylljen e saj. Zonja James ndërmori veprim të ngjashme për të detyruar mbylljen e fondacionit bamirës të ish-Presidentit Donald Trump me pretendimet se ai e kishte përdorur atë për të mbështetur biznesin dhe interesat e tij politike.
Facebook Forum