Lidhje

Spanja: Vala e migrantëve nga Maroku është krizë serioze


Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez vizitoi të martën enklavën Ceuta të Afrikës Veriore për të parë nga afër krizën e migrimit nga Maroku fqinj pasi mijëra njerëz kaluan kufirin drejt enklavës spanjolle.

Spanja dislokoi trupa dhe polici shtesë për të sprapsur turmat që po përpiqeshin të kalonin vijën e sigurisë që ndan Marokun me territorin e vogël spanjoll. Disa mijëra migrantë kanë kaluar kufirin drejt qytetit spanjoll Ceuta gjatë dy ditëve të fundit. Shumica e tyre kanë notuar përgjatë brigjeve kufitare për të arritur në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut.

Në disa pamje filmike shihen ushtarët marokenë duke hapur portat e sigurisë për të lejuar migrantët të kalonin në qytetin Ceuta të Spanjës.

Kryeministri Sanchez e përshkroi vërshimin e papritur të migrantëve si “një krizë serioze për Spanjën dhe Evropën”. Ai iu drejtua vendit përmes një fjalimi në televizion para se të nisej drejt Ceutas dhe Melillas, një enklavë tjetër spanjolle që ndan kufirin me Marokun.

“Përparësia e qeverisë spanjolle në këtë moment është garantimi i kontrollit të tranzitit në kufirin me Marokun për të ofruar ndihmë për qytetet Ceuta dhe Melilla me të gjitha mjetet e nevojshme, për të zgjidhur krizën humanitare të krijuar nga ardhja e migrantëve dhe për të vazhduar me kthimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që kanë hyrë në Ceuta ose Melilla në rrugë të paligjshme sikurse parashikohet në marrëveshjet që Spanja ka nënshkruar me Marokun për vite me rradhë”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian e kanë mbështetur Spanjën, duke thënë se vërshimi masiv i migrantëve në Ceuta ishte shkelje e kufijve të bllokut.

Ekspertët sugjerojnë se fluksi i madh i migrantëve, ku përfshiheshin familje të tëra, ishte përpjekje e Marokut për t’i bërë presion Spanjës që të ndryshojë politikën e saj ndaj Saharasë Perëndimore, territori i diskutueshëm mbi të cilin ka pretendime Rabati.

Maroku dhe Spanja janë përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike rreth pranisë në Spanjë të udhëheqësit të Frontit Polisario, lëvizja e të cilit ka luftuar për pavarësinë e Saharasë Perëndimore.

Udhëheqësi Brahim Ghali po trajtohet në një spital në Longrono në pjesën verirore të Spanjës, pasi u diagnostikua me koronavirus.

Fronti Polisario ka zhvilluar një betejë të gjatë kundër Marokut për të fituar pavarësinë e territorit të diskutueshëm të Saharasë Perëndimore, e cila ka qënë koloni spanjolle deri në vitin 1975.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG