Lidhje

Tiranë: Analistët komentojnë vendimin e SHBA-ve ndaj zotit Berisha dhe familjes së tij


Vendimi i fundit i Sekretarit të Shtetit Blinken për të ndaluar ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe familjen e tij të hyjnë në SHBA u përcoll me komente të ndryshme nga vëzhgues dhe analistë të jetës politike në Tiranë.

Analistët komentojnë vendimin e SHBA ndaj zotit Berisha dhe familjes së tij
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

Ata shprehen se ky akt shënon fundin e periudhës së mosndëshkimit të elitave politike dhe përballjen e tyre me akuzat për korrupsion.

Vëzhguesit e jetës politike në Tiranë pohuan se deklarata që shoqëroi vendimin e sekretarit Blinken ndaj ish-presidentit Berisha ishte sa e fortë aq edhe e papritur, ku renditen akuza për pengim të demokracisë, korrupsion domethënës, si dhe për veprime që lidhen me funksionimin e shtetit dhe shoqërisë.

Analisiti i njohur i politikës dhe përfaqësues i komunitetit të gazetarëve, Aleksandër Çipa, thotë se kjo shënon ngjarjen më të rëndë midis udhëheqësve politikë shqiptarë dhe SHBA.

Por më e rëndësishmja e kësaj ngjarjeje, tha zoti Çipa, është zbritja e protagonistëve politikë nga lartësitë e paprekshme në përballjen ligjore me akuzat për korrupsion.

“Ky është një moment i ri përmbyllës i kapitullit të ashtuquajturit tranzicion në Shqipëri, ku kasta dhe elita politike ishte njëkohësisht sunduese e ligjit shqiptar dhe një ndër arsyet pse kishim një ineficencë të sistemit të drejtësisë. Ky është edhe një realitet i ri në gjithë realitetin shqiptar. Pandëshkueshmëria ka qenë një lloj sundimi i padëshirueshëm dhe pengmbajtës për vendin dhe zvarritjen e Shqipërisë nëpër të ashtuquajturën kohë të tranzicionit” - tha zoti Çipa.

Analisti i njohur Mentor Kikia thotë se deklarata e sotme e sekretarit Blinken është deklarata më e ashpër që SHBA kanë publikuar për ndonjë politikan shqiptar që nga viti 1997.

Edhe pse në hije, shtoi ai, zoti Berisha ndikon fort në cdo qëndrim të PD-së që nga reforma në drejtësi e deri në gjithcka tjetë, sepse ka ndjekësit e tij në gjirin e saj.

“Kjo deklaratë e ashpër që vjen sot në adresë të zotit Berisha është një fshikull e fortë, së pari për rolin që ai vazhdon të ketë në Partinë Demokratike, e cila duhet të qëndrojë për një tjetër mandat në opozitë, si dhe për rrezikun, që ai mund të frymëzojë një lëvizje radikaliste pranë kësaj partie. Faktori i dytë mund të jetë rezistanca apo deklaratat që bëhen kundër reformës në drejtësi, dhe kjo mund të paralajmërojë edhe një procedim të shpejtë ndaj zotit Berisha nga ana e SPAK-ut” - tha zoti Kikia.

Vëzhguesit e politikës pohuan se ngjarja e sotme është një pikë kulmore në marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes SHBA-ve dhe ish presidentit e ish kryeministrit Berisha, aq sa tani listohet si e padëshirueshme edhe gjithë familja Berisha, gjë që është një akt sa i rrallë edhe domethënës.

“Shpallja non grata nga sekretari amerikan i shtetit e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha është një lajm tronditës. Deklarata është një zile zgjimi për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shqipërisë dhe një kujtesë për të gjithë se abuzimi me pushtetin dhe shkelja e ligjit, nëse nuk ndëshkohet nga drejtësia vendore, nuk harrohet dhe nuk anashkalohet nga SHBA-të. Një lexim i rëndësishëm i deklaratës ka të bëjë me faktin se në të përcillet një mesazh shumë i rëndësishëm dhe i përsëritur nga Uashingtoni: nevoja për përgjegjshmëri dhe transparencë nga institucionet publike të Shqipërisë ndaj procesit të qeverisjes dhe i veprimeve të zyrtarëve shqipytarë ” - thotë analisti i njohur Lutfi Dervishi.

Analistët e politikës mendojnë se kjo ngjarje do të ndikojë edhe në jetën e Partisë Demokratike, sepse zoti Berisha prej kohësh udhëhoqi atë qysh nga themelimi dhe u akuzua se e mbajti nën kontroll pa ndërprerje, edhe pse humbi zgjedhjet më 2013 dhe u largua me dorëheqje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG