Lidhje

Synimet e SHBA-së për të udhëhequr përpjekjet globale kundër COVID-it


Në kushtet kur nevojat e brendshme për vaksina janë përmbushur në një masë të madhe, administrata Biden po rrit përpjekjet për të ndihmuar vaksinimin në botë. Por si ndryshon reagimi i SHBA-së në raport me të ashtuquajturën "diplomaci vaksinash" që zbatojnë Kina e Rusia?

Njëqind e njëzet e pesë milionë amerikanë, ose 38 për qind e popullsisë, janë vaksinuar plotësisht. 138 milionë ose 48 për qind, kanë marrë të paktën një dozë të saj.

Synimet e SHBA-së për të udhëhequr përpjekjet globale kundër COVID-it
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00


Fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç po vaksinohen gjithashtu. Tashmë vendi po fillon të përqendrojë vëmendjen tek ndihma ndaj vendeve të tjera të botës.

"Nuk do t'i përdorim vaksinat tona për të përfituar favore nga vendet e tjera", thotë Presidenti Joe Biden.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Joe Biden njoftoi për një shtesë prej 20 milionë dozash të vaksinës AstraZeneca, pjese e një totali prej 80 milionë dozash që do të ndahen përmes programit COVAX, mekanizmi i OKB-së për shpërndarjen e vaksinave për vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.

Kjo është pjesë e një faze të hershme të një strategjie globale që administrata e tij po punon për ta konturuar. Por ata këmbëngulin se përpjekjet e SHBA-së do të jenë ndryshe nga diplomacia e vaksinave të Kinës dhe Rusisë. Dy vendet u kanë ofruar me dhjetëra miliona doza shumë vendeve, që disa thonë se vijnë me kushte.

“Ajo që ne shohim, ajo që Kina dhe Rusia po përpiqen të bëjnë është në fakt të përdorin sasi të vogla të vaksinave të shitura për të nxjerrë përfitime politike dhe të sigurojnë ndikim politik. Ajo që ne duam të bëjmë është të përdorim një përgjigje masive për t'i dhënë fund pandemisë dhe kjo të jetë trashëgimia e asaj që Amerika po përpiqet të bëjë", thotë Jeremy Konyndyk, Drejtor Ekzekutiv i USAID-it për çështje të COVID-19-s.

Presidenti Biden pritet të mbështesë një strategji globale të reagimit ndaj pandemisë në takimin e Grupit të Shtatëshes (G-7) në qershor. Ky grup i ekonomive më të përparuara në botë thonë se duan të udhëheqin në rimëkëmbjen pandemike, por ato po kritikohen se po i magazinojnë vaksinat.

“Vendet e pasura mund të vaksinojnë 100% të popullsisë, përfshirë fëmijët, dhe akoma t’u mbeten 1.3 miliardë doza për të ndarë. Dhe nëse shikojmë shifrat nga një qasje më realiste, 70 për qind e popullsisë së tyre, do të kishte gati 2 miliardë doza për të ndarë. Pra ajo që ne po kërkojmë nga këto vende të pasura është të bëjnë plane për t'i ndarë ato menjëherë, në mënyrë që të mund të rrisim qasjen tek vaksinat në të gjithë botën", thotë Jenny Ottenhoff, organizata ndërkombëtare One Campaign.

SHBA, me dekada suksesi në trajtimin e krizave të mëparshme globale të shëndetit, ka një avantazh krahasuar me Kinën dhe Rusinë.

"Pavarësisht nëse është pandemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore, ose kontributi i saj në fondin global për të luftuar Sidën, tuberkulozin ose malarien, jam shumë i bindur se SHBA-ja do të rrisë e të luajnë një rol të rëndësishëm udhëheqës që përgjigjja globale kundër COVID-19 të avancojë”, thotë Richard Reithinger, i organizatës jofitimprurëre RTI International.

Gayle Smith, zyrtari që presidenti Biden ka caktuar për përgjigjen pandemike globale, thotë se përpjekja e SHBA-së mund të jetë po aq ambicioze sa Plani Marshall.

Një program amerikan që siguroi ndihmë për Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

“Plani Marshall kishte të bënte me burimet, por gjithashtu kishte të bënte dhe me politikat. Ai lidhej me tregjet dhe trajtimin e ndikimit ekonomik të Luftës së Dytë Botërore. Dhe në mënyrë të ngjashme, ne kemi të njëjtat lloje ndikimesh në këtë pandemi. Mendoj se ia vlen të mendosh me guxim”, thotë Gayle Smith, Koordinator Global i Përgjigjes ndaj COVID-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG