Lidhje

Kosovë, nismë e të rinjve shqiptarë dhe serbë për përballje me të kaluarën


Një ekspozitë fotografish dhe pjesëmarrja në grupe të ndryshme krijuese ka bërë bashkë të rinjtë shqiptarë dhe serbë, në kuadër të një nisme për përballjen me të kaluarën dhe ndërtimin e paqes në Kosovë.

Miodrag Zhivkoviç nga komuna e Graçanicës, i lindur në vitin 2003, thotë se kjo nismë i ka ndihmuar njohë shqiptarët dhe të shoqërohet me ta.

“Nuk kisha pas dëshirë që edhe njëherë të përsëritet lufta sepse nuk ka asgjë të mirë aty. Dëshiroj vetëm paqe dhe asgjë tjetër. Të mund të shëtisë lirshëm nëpër Prishtinë pasi që jam serb dhe nuk dua që kur lëvizi të më shqetësoj ndokush”, tha ai.

Miodrag Zhivkoviç
Miodrag Zhivkoviç

“Për mua është në rregull pasi që unë ndoshta kam më shumë shokë shqiptarë se sa që kam serb. Unë e shoh në perspektivë të mirë që do të bëhet më mirë vetëm që të mos kthehet ajo që ka ndodhur”, thotë Miodrag Zhivkoviç.

Fisnik Topalli nga komuna e Ferizajit ka lindur në vitin 2002. Ai tha se përballja me të kaluarën është rrugë drejt së ardhmes.

“Kam lexu goxha shumë, di pak a shumë me numra dhe pse kemi mësuar këtu që në fakt numrat janë mirë që të mos merren si shembull, hapi i parë është mirë të mos merren shembull numrat drejt pajtimit dhe jam ashtu shumë entuziast që të mësoj edhe më shumë për të kaluarën sepse mendoj që hapi më i mirë për me pas sa më të mirë të ardhmen”, thotë ai.

Fisnik Topalli
Fisnik Topalli

Ai thotë se gjatë veprimtarive të ndryshme ka bashkëbiseduar me të rinjtë serb dhe beson që mund të ndërtohet paqja ndërmjet dy etnive.

“Nëse fillojnë të dyja palët me e kuptu sa më mirë të kaluarën edhe nëpërmjet kësaj të kuptohet sa më mirë si duhet të trajtohet e ardhmja besoj që mundemi të arrijmë një pajtim, por gjithsesi sa më shpejt duke u dënuar kriminelët e luftës po mendoj që janë të lirë ende, ka shumë”, tha ai.

Veprimtaritë për përballje me të kaluarën dhe ndërtimin e paqes po organizohen nga Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut në Prishtinë, e cila që nga vitit 2019 ka organizuar katër projekte të tilla me pjesëmarrjen e më shumë se 100 të rinjve kryesisht shqiptarë dhe serb.

Udhëheqësja e kësaj nisme, Marigona Shabiu thotë se të rinjtë u bashkohen nismave të ndikuar nga paragjykimet.

“Vijnë me ngarkesa emocionale, vijnë me histori të ndryshme të cilat i kanë parë në media të cilat i kanë dëgjuar nga familjarët e tyre me të dhëna shumicën e kohës të pasakta sa i përket luftës që ka ndodh në Kosovë kështu që gjitha këto ne provojmë t’i trajtojmë me një mënyrë të hapur dhe konstruktive”, thotë ajo.

Një sfidë sipas të rinjve është edhe ndikimi i politikës në marrëdhëniet jo të mira ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Ivan Kerstic
Ivan Kerstic

Ivan Kërstiç nga rrethi i Graçanicës thotë se me shqiptarët ka bashkëpunim shumë të mirë.

“Duke parë qytetarët që jetojnë këtu mendoj që nuk ka probleme megjithatë politika në të dy anët na imponom neve që ne ndërmjet veti të mos tolerohemi, por ka edhe raste tjera ku unë për shembull bashkëpunoj me grupe të shqiptarëve dhe të romëve dhe nuk ka probleme”, thotë ai.

Zonja Shabiu thotë se ndikimi i politikës është i pamohueshëm dhe diskursi politik po ndikon tek të rinjtë për të parë situatën ndryshe.

“Ne po tentojmë duke qenë se ata dështojnë të krijojnë paqe dhe pajtim në mes të komuniteteve ne po shohim se alternativa më e mirë dhe e vetme realisht për momentin është që ne të fokusohemi te qytetarët, te rinia, të fokusohemi te gratë në mënyrë që ky pajtim, paqja të vijë prej lart-poshtë pra të vijë prej komunitetit dhe pastaj këto mesazhe, këto shembuj pozitiv të shkojnë si mesazhe edhe te liderët tanë që realisht ishte dashur me ndjek vullnetin dhe dëshirën e të rinjve”, thotë ajo.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se gatishmëria për t’u përballur me të kaluarën dhe hapja e një dialogu të sinqertë mund t’i hap rrugë ndërtimit të një shoqërie më të mirë dhe drejt pajtimit. Ata thonë se mungesa e vullnetit politik ka penguar vënien e drejtësisë në lidhje me krimet e luftës dhe rrjedhimisht edhe procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG