Lidhje

Gazetari disident Pratasevich shfaqet në video në Bjellorusi


Gazetari disident Pratasevich shfaqet në video në Bjellorusi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Opozita në Bjellorusi thotë se duket qartë se Raman Pratasevich, gazetari i arrestuar të dielën pasi avioni me të cilin udhëtonte u detyrua të ulej në Minsk, është rrahur në paraburgim. Ata citojnë një video në internet, për të cilën ata dhe të tjerët pretendojnë se është bërë nën forcën e regjimit bjellorus. Disa udhëheqës perëndimorë e kanë përshkruar uljen e avionit si një "rrëmbim të sponsorizuar nga shteti" dhe shumë kompani ajrore evropiane po shmangin hapësirën ajrore bjelloruse.

Në një video të postuar në internet të hënën, Raman Pratasevich pranoi organizimin e protestave masive. Përkrahësit e tij, përfshirë udhëheqësen e opozitës Svetlana Tikhanovskaya, thonë atutoritetet e kishin detyruar atë me forcë që të pranonte akuzën.

Sviatlana Tsikhanouskaya
Sviatlana Tsikhanouskaya

“Ai tha se po trajtohet sipas ligjit, por qartazi është rrahur dhe është nën presion. Padyshim që ai po torturohet”, tha Sviatlana Tsikhanouskaya.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Shtetet e Bashkuara, i cili ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit, thotë se nuk është në gjendje të verifikojë kohën ose rrethanat nën të cilat u regjistrua videoja.

26-vjeçari Pratasevich u arrestua të dielën, pasi avioni i pasagjerëve Ryanair me të cilin po udhëtonte u detyrua me forcë të ulej në Bjellorusi ndërsa fluturonte mbi hapësirën ajrote të atij vendi. Aeroplani i nisur nga Greqia kishte destinacion Lituaninë.

Autoritetet bjelloruse pretenduan pa ofruar prova se ekzistonte një kërcënim për bombë dhe dërguan një avion luftarak për t’i zënë rrugën avionit të pasagjerëve. Pratasevich dhe partnerja e tij ruse Sofia Sapega u arrestuan pas uljes së avionit. Tre pasagjerë të tjerë zbritën gjithashtu në Minsk. Besohet se ata ishin agjentët bjellorusë që po gjurmonin gazetarin Pratasevich. Bill Browder është aktivist politik.

Bill Browder
Bill Browder

"Ky veprim i dërgon një mesazh të tmerrshëm çdo armiku të çdo diktature në të gjithë botën: Që ju mund të rrëmbeheni nga qielli kudo që të jeni."

Krerët e Bashkimit Evropian shprehën zemërim pas një takimi në Bruksel të hënën.

Ursula von der Leyen
Ursula von der Leyen

“Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe sovranitetit evropian. Kjo sjellje e egër kërkon një përgjigje të fortë, prandaj Këshilli Evropian vendosi që do të ketë sanksione shtesë për individët e përfshirë në rrëmbim, por kësaj here, gjithashtu edhe për bizneset dhe subjektet ekonomike që po financojnë atë regjim”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg, i bëri jehonë dënimit.

Jens Stoltenberg
Jens Stoltenberg

"Ky është një rrëmbim shtetëror dhe demonstron se si regjimi në Minsk sulmon të drejtat themelore demokratike."

Zyrtarët bjellorusë mohojnë të kenë detyruar avionin të devijojë fluturimin. Bashkimi Evropian u bëri thirrje kompanive ajrore të mënjanojnë hapësirën bjelloruse. Kompanitë ajrore bjelloruse do të ndalohen të përdorin hapësirën ajrore të BE-së.

Alex Titov,analist për Bjellorusinë në Universitetin e Mbretëreshës në Belfast, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

"Kjo nuk do të ndikojë tek Lukashenko, sepse tani ai e kapi kundërshtarin. Bashkimi Evropian në veçanti, por edhe Shtetet e Bashkuara, në fakt nuk duan ta armiqësojnë plotësisht Bjellorusinë, ose ta humbin atë, duke e lënë të bjerë krejtësisht në krahët e Moskës."

Raman Pratasevich mërgoi në Poloni në vitin 2019 dhe kërkoi azil politik. Ai drejtoi kanalet e njohura Nexta dhe Nexta Live në faqen e mediave sociale Telegram. Që nga fillimi i protestave në gusht, pas zgjedhje të diskutueshme, autoritetet bjelloruse kanë arrestuar rreth 35,000 njerëz. Ka prova të bollshme për tortura.

"Kanali Telegram, nga dy gazetarë shumë të rinj të mërguar në Poloni, papritmas u bë me sa duket strumbullari i cili po drejtonte të gjitha protestat", tha për Zërin e Amerikës Alex Titov, analist për Bjellorusinë në Universitetin e Mbretëreshës në Belfast.

Presidenti Joe Biden ka kërkuar mbajtjen përgjegjës të individëve të përfshirë në incident. Kombet e Bashkuara po ashtu kanë bërë thirrje për një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur.

XS
SM
MD
LG