Lidhje

Maqedonia e Veriut lehtëson masat kundër COVID-19


Maqedonia e Veriut lehtëson masat kundër COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Autoritetet maqedonase pothuajse në çdo dy javë po bëjnë lehtësimin e masave kundër Covid-it, teksa numri i rasteve të të prekurve është ulur dukshëm dhe prej para pak ditësh numri i viktimave nga pandemia brenda 24 orësh ka rënë në njëshifror.

Qeveria ka vendosur heqjen e masës për mbajtjen e maskave në ambient të hapur; nëpër restorante dhe kafeteri të mund të ulen deri në gjashtë persona në një tavolinë, ndërsa restoranteve do t’u lehohet të organizojnë dasma dhe ahengje në ambient të hapur, por me një maksimum prej njëqind mysafirësh. Pronarët e objekteve gastronomike, megjithatë nuk shprehin kënaqësi; ata prisnin më tepër lehtësime; Ndërkohë, qytetarët e mirëpresin heqjen e maskave në ambient të hapur. Stadiumet e futbollit lejohen të përdorin një të tretën e kapacitetit për tifozët.

Maqedonia e Veriut është vendi më i prekur në Ballkan nga pandemia e Covid-19 dhe deri tani jetën e kanë humbur mbi 5.400 persona. Askush nuk mund të shpjegojë arsyet e shkallës së lartë të vdekjeve, kur rrethanat shëndetësore janë identike me ato të vendeve fqinje.

Nga ana tjetër, janë vaksinuar rreth 237 mijë qytetarë, ndërsa mbi 94 mijë kanë marrë dozën e dytë dhe interesi për marrjen e vaksinës po vjen duke u shtuar, sipas autoriteteve shëndetësore.

Më së shumti vaksina të administruara janë ato të prodhimit kinez Sinopharm, që deri tani kanë arritur mbi 200 mijë, teksa pritet të mbërrijnë 500 mijë doza Sinovac. Disa mijë doza AstraZeneca në kuadër të programit COVAX të OBSh-së u janë dhënë qytetarëve të moshës mbi 60 vjeç dhe për çdo javë po arrijnë nga disa mijë vaksina Pfizer, si donacion i Bashkimit Evropian që deri në muajin gusht pritet të mbërrijnë gjithsej 119 mijë doza.

Megjithatë, vaksinat ruse Sputnik V që duhej të vinin deri në fund të muajit maj, nuk kanë arritur dhe autoritetet presin të informohen nga ambasada ruse për shpërndarjen e tyre. Shkupi para disa ditësh dëboi një diplomat rus pa dhënë për publikun shumë hollësi, teksa autoritetet nuk vlerësojnë se ky vendim do të ketë ndonjë ndikim lidhur me qasjen e Moskës ndaj vaksinave.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se këtë javë mund të ketë një ngadalësim të ritmit të vaksinimit, por ai shpreson se javën tjetër do të vazhdohet me ritmin e njejtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG