Lidhje

Stoltenberg dhe Johnson mbështesin përgjigjen e fortë kundër Bjellorusisë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kryeministri Britanik Boris Johnson shprehën të mërkurën mbështetje për përgjigjen e fortë kundër Bjellorusisë lidhur me veprimet e saj muajin e kaluar, kur detyroi uljen e një avioni për të arrestuar një gazetar të opozitës.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në rezidencën e kryeministrit britanik, zoti Stoltenberg tha se veprimet e autoriteteve bjelloruse përbënin një shkelje të normave dhe rregullave ndërkombëtare. Ai bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit Raman Pratasevich dhe të dashurës së tij.

Zoti Stoltenberg tha se ai i mirëpret sanksionet e vendosura nga Britania, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera aleate. Zoti Johnson shtoi se aktualisht gjëja më e rëndësishme është që shihet se sanksionet po zbatohen plotësisht dhe ndoshta të shihen mundësitë e ashpërsimit të tyre edhe më tej. Zoti Johnson e quajti incidentin "të tmerrshëm e shokues", duke shtuar se ishte e rëndësishme që aleatët të qëndronin së bashku në qëndrimin ndaj Bjellorusisë.

Tridhjetë aleatët e NATO-s lëshuan një deklaratë me dy paragrafë të mërkurën, por nuk përfshin në të ndonjë masë ndëshkuese të propozuar nga vendet aleate Baltike si dhe Polonia.

Zoti Stoltenberg tha që çështja do të diskutohet gjatë një samiti të NATO-s të planifikuar të mbahet më 14 qershor në Bruksel.

XS
SM
MD
LG