Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Sulmet kibernetike, temë diskutimesh në takimin Biden-Putin


Presidenti Joe Biden do të diskutojë me Presidentin rus Vladimir Putin problemin e hakerëve që strehohen në Rusi, të cilët besohet se janë pas sulmit të fundit kibernetik që goditi kompaninë e përpunimit të mishit JBS, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve se presidenti “ka urdhëruar hapjen e një analize të shpejtë strategjike” lidhur me sulmin që ndikoi tek operacionet e kompanisë JBS në Australi dhe Amerikën e Veriut.

Presidenti Biden do të takohet me homologun rus në Gjenevë më 16 qershor në një kohë tensionesh mes dy fuqive botërore lidhur me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe agresionin rus në Ukrainë.

Një filial i kompanisë braziliane JBS njoftoi qeverinë amerikane se kishte marrë një kërkesë për pagesë parash në sulmin që besohet se e kishte origjinën nga Rusia, tha zëvendës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

“Shtëpia e Bardhë është e angazhuar drejtpërdrejt me qeverinë ruse mbi këtë temë dhe po përcjell mesazhin se shtetet përgjegjëse nuk strehojnë kriminelë të hapësirës kibernetike,” tha zonja Jean-Pierre.

Ndërkaq, komapnia JBS thotë se ka bërë “përparim të ndjeshëm” për të zgjidhur sulmin kibernetik që ndikoi tek operacionet në Amerikën e Veriut dhe Australi.

Shefi ekzekutiv i filialit për Shtetet e Bashkuara tha se parashikon që “shumica e fabrikave përpunuese për mishin e derrit, viçit, pulës dhe nënprodukteve të mishit” të jenë kthyer në punë që të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG