Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese nisi sot shqyrtimin e dy kërkesave të Presidentit të Republikës për të shfuqizuar si antikushtetues Ligjin Special Fusha, vendimin e qeverisë për të kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe çdo akti tjetër në vazhdim të tyre.
Presidenti i kërkoi Gjykatës Kushtetuese më 24 korrik të vitit 2019 dhe më 14 maj 2020 se këto ligje dhe vendime duhen shfuqizuar si antikushtetues dhe të shmangej shembja e Teatrit Kombëtar.
Por tre ditë pasi presidenti iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, shkatërrimi i Teatrit Kombëtar u krye më 17 maj, nga forca të shumta policore dhe mjete shtetërore, në mesin e karantinës së pandemisë si dhe të protestave për ta mbrojtur ndërtesën historike.
Gjykata Kushtetuese kërkoi që brenda një jave të paraqitet një dokumentacion i plotë mbi historinë dhe vlerat e Teatrit Kombëtar, nga ndërtimi i tij 80 vjet më parë, shpallja monument kulture e deri në shembjen e tij nga bashkia e kryeqytetit.
Ajo rrëzoi kërkesën për të thirrur dëshmitarë një seri zyrtarësh të qeverisjes qendrore dhe vendore, por u ofroi palëve mundësinë që të sjellin në proces ekspertë të tyre për çështje të trashëgimisë kulturore.
Në procesin e sotëm gjyqësor, krahas përfaqësuesve të qeverisë dhe presidencës, mori pjesë edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e legjitimuar nga Gjykata Kushtetuese si person i tretë i interesuar.
Kjo Aleancë bëri përpjekje të shumta afro 3 vjet për ta mbrojtur ndërtesën e Teatrit, duke sensibilizuar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar mbi vlerat historike e arkitekturore të atij institucioni.
Qeveria dhe bashkia e Tiranës këmbëngulën në ndërtimin e një teatri të ri në truallin e Teatrit Kombëtar, por veprimtarët shprehën dyshime se pas kësaj nisme qëndrojnë planet për ndërtimin e një grupi pallatesh shumëkatëshe.
Facebook Forum