Në Maqedoninë e Veriut u shënua Dita Botërore e Mjedisit. Partitë e përdorën këtë datë për qëllime të tyre politike. Bashkimi Demokratik për Integrim e zbuloi sot befasinë e shumëpritur që është përkushtimi ndaj mjedisit para zgjedhjeve vendore të vjeshtës, ndërsa aktivistë të Aleancës për Shqiptarët hodhën mbeturina para Ministrisë së Ambientit Jetësor.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) disa ditë me radhë mbajti të zgjuar kureshtjen e opinionit publik por dhe të rivalëve politikë përmes paralajamërimit në rrjetet sociale se “diçka e madhe dhe e bukur do të ndodhte më pesë qershor”. Mbase shumëkush nuk priste se BDI-ja do të njoftonte të shtunen përkushtimin e saj të ardhshëm në fushën e ambientit jetësor dhe gjelbërimin e vendit. Partia doli me moton “Axhenda e gjelbër”, në Ditën Botërore të Mjedisit, që shikohet, nga ana tjetër si një fillim i fushatës para zgjedhjeve vendore që do të mbahen në vjeshtë.
“Sot, BDI e përqafon në tërësi axhendën e gjelbër si pjesë e Marrëveshjes së gjelbër evropiane dhe e shton atë në krah të shtyllave tona programore si përparësi. Axhenda e gjelbër nënkupton jete cilësore, vende pune dhe zhvillim, në veçanti në periudhën pas pandemisë”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Zoti Ahmeti foli edhe për arritjet politike, sociale dhe ekonomike në vend, duke theksuar për këtë në veçanti kontributin e partisë që e drejton për 19 vjet.
Dita Botërore e Mjedisit u shënua edhe nga aktivistë të partisë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH), të cilët zgjodhën që në këtë ditë të hedhin mbeturina para dyerve të Ministrisë së Ambientit jetësor në Shkup, për të theksuar në këtë mënyrë mungesën e angazhimit të ministrisë së drejtuar nga BDI-ja dhe të autoriteteve qeveritare për kushtet në të cilat jeton, sidomos popullata shqiptare në Maqedoninë e Veriut:
”Kemi sjellur mbeturina nga deponitë (landfillet) e disa qyteteve në mënyrë që ata ta përjetojnë një ditë të vetme se çfarë do të thotë të jetosh me pamje, të cilat ta vrasin syrin. Kjo është përditshmëri e qytetarëve”, u shpreh Omer Ajdini i Forumit Rinor të ASH-së.
Aktivistët, megjithatë nuk i lanë gjatë mbeturinat para ministrisë.
Ndërkohë, gjatë një aktiviteti me rastin e ditës ndërkombëtare të ambientit jetësor, kryeministri Zoran Zaev tha se në Shkup janë ndërtuar më shumë se 100 km shtigje për bicikleta dhe se janë gjelbëruar zona përgjatë rrugëve e janë bërë parqe të reja. “Më shumë njerëz po përdorin bicikletat dhe shpresojmë që më pak autovetura të ketë në trafik”, tha ai.
Maqedonia e Veriut, në veçanti Shkupi gjatë muajve të dimrit shënon një shkallë të lartë të ndotjes së ajrit dhe autoritetet nuk kanë mundur të bëjnë ndonjë ndryshim të madh këtu. Së fundmi, është zbuluar se në autobotet për transportin e mazutit është bartur vaj i djegur motorik, i konstatuar si tepër i dëmshëm për shëndetin e popullatës. Kjo ka shtuar shqetësime në publik teksa autoritetet thonë se po bëhen hetime për këtë.