Lidhje

Britani, varianti delta i koronavirusit shqetësim për zyrtarët

Ministri britanik i Shëndetësisë tha të dielën se koronavirusi i deltës, varianti i identifikuar për herë të parë në Indi, mund të jetë deri në 40% më ngjitës se koronavirusi i njohur si varianti alfa.

Varianti i deltës tani është bërë dominues në Britani dhe ka zëvendësuar variantin alfa që u diktua për herë të parë në Kent, tha zoti Hancock për gazetarët. Ka gjasa që varianti delta të kërcënojë planet për heqjen e kufizimeve më 21 qershor, shtoi ai.

Zoti Hancock theksoi rëndësinë që britanikët të vaksinohen. Të dhënat e para tregojnë se vaksina është e efetkshme kundër variantit delta pasi individi bën të dyja dozat, tha ministri.

Aktualisht, 40% e popullatës në Britani është plotësisht e vaksinuar, sipas të dhënave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins. Rastet e reja me COVID-19 kanë rënë ndjeshëm në këtë vend që kur filloi vaksinimi.

Ndërkaq, në Shtetet e Bashkuara, Dr. Richina Bicette e Universitetit Baylor në Hjuston tha për kanalin CNN se duhet bërë edhe vaksinimi i fëmijëve. “Me shtimin e numrit të të rriturve të vaksinuar, virusi do të vazhdojë të qarkullojë në komunitet në kërkim të organizmave të pambrojtur. Fëmijët e pavaksinuar futen në këtë kategori,” tha mjekja.

Numri global i rasteve me koronavirus arriti në mbi 173 milionë të hënën, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins. Shtetet e Bashkuara kryesojnë në botë me 33.3 milionë raste të konfirmuara, pasuar nga India me afro 29 milionë dhe Brazili me 17 milionë.

This item is part of

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG